Akademiku rus: Kosova do pranohet në UNESCO
Kosova me siguri do të pranohet në UNESCO. Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për ‘Sputnjik’, Aleksej Lidov, ekspert i UNESCO-s, akademik i Akademisë Ruse të Artit dhe drejtor i Qendrës Shkencore për Kulturën Kristiane Lindore.
“Mendoj se mundësia që kjo të ndodhë është shumë e madhe dhe që Kosova të pranohet në UNESCO. Tashmë kemi pasur përvoja të tilla, skandal i madh, kur në UNESCO pranuan Organizatën për Çlirimin e Palestinës…”, citohet të ketë thënë Lidov, i cili për shkak të qëndrimeve të tij mbi zhvillimet në Kosovë, për Prishtinën është persona non grata.
Duke pasur parasysh se shumica e vendeve perëndimore kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Lidov personalisht nuk sheh arsye për të cilat UNESCO do ta refuzonte, pavarësisht numrit të madh të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
I pyetur se çfarë qëndrimi të mbahet, Lidov është përgjigjur se “mendoj që nuk është gjë e keqe, meqë kjo do të jetë edhe një mbrojtje shtesë e monumenteve në Kosovë, që, siç e dimë të gjithë, atje është në rrezik”.
Është e qartë se monumentet mbesin “peng” i situatës politike, ka shtuar Lidov, por mendoj se Serbia duhet të punojë në atë drejtim që të ketë mundësinë e kujdesit dhe të kultivimit të trashëgimisë së vet kulturore, si dhe të restaurimit të monumenteve që tani ndodhen në territorin që është i ndarë nga Serbia.
Përmes UNESCO-s kjo mendoj se do të jetë më e lehtë, konsideron Lidov dhe shton se “trashëgimia serbe kurrë nuk do të bëhet shqiptare, meqë në botë ekziston shkenca dhe historia si dhe ekspertët nga vende të ndryshme, që nuk do të pranojnë t’i shërbejnë propagandës shqiptare”.