Aktakuzat/Rama: Të vërtetën do ta mbroj edhe me ndërkombëtarët
Në konferencën për mediat nga aeroporti i Prishtinës, kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët nëse ekziston mundësia që roli dhe deklaratat e tij për aktakuzat për krime lufte ndaj Thaçit dhe Veselit, mund të keqkuptohen nga ndërkombëtarët, tha se e vërteta është e tmerrshme dhe se për të nuk kanë rëndësi reagimet.
”Çfarë kam mësuar në 7 vjet kryeministër është se keqkuptimet më të mëdha me të huajt janë produkt i intrigave mes shqiptarëve. Nëse shqiptarët që kanë komunikim me të huajt do të bënin atë që bëjnë disa popuj të tjerë që kanë bërë sukses të madh, që çfarë na ndaj shqip nuk përkthehet anglisht, sot Shqipëria dhe Kosova do të ishin ku e ku më përpara. Por, fatkeqësisht është nga këtu në Prishtinë dhe nga atje në Tiranë, ku prodhohet helmi për të prishur gjakun e miqve. Ndërkohë, sa i përket marrëdhënieve keqkuptimeve dhe mirëkuptimeve, unë nuk i kam frikë mendimet e mia dhe të vërtetën time di ta mbroj dhe imponoj edhe me miqtë ndërkombëtarë. Kjo është fakt, është një e vërtetë e tmerrshme, është e patolerueshme. Le të dalë kush të dojë dhe të thotë jo kështu e jo ashtu. Mua më ka ardhur keq që kam parë deklarata dhe përshëndetje që e kanë konsideruar atë brutalitet një hap, një zhvillim, një kërcim të drejtësisë, në asnjë mënyrë jo”.