Akuzat e deputetes, reagon Avdullah Hoti: U izolova në momentin që bëra testin
Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas akuzave të deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se ai nuk e ka respektuar protokollin meqenëse nuk është izoluar pas testimit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka thënë se është testuar të dielën rreth orës 16:00 dhe se menjëherë është izoluar.
“Edhe pse nuk kam pas asnjë shqetësim serioz, me paraqitjen e një kolle të lehtë të dielën, bashkëpunëtorët më rekomanduan të testohem. Testimin e kam bërë të dielën rreth orës 16. Në momentin që jam testuar, jam izoluar në pritje të rezultatit, pasi kështu është protokolli i rekomanduar nga mjekët. Sapo e kam marrë rezultatin, e kam bërë publik. Kushdo që deklaron ndryshe nuk e thotë të vërtetën”, ka shkruar Hoti.