Akuzat për Thaçin dhe Veselin/Kreu i Veteranëve të UÇK: Kjo gjykatë është raciste

Situata politike në Kosovë, u trondit nga lajmi se zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur akuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se këto akuza janë qartësisht politike dhe kanë për qëllim të njollosin veprimtarinë e UÇK-së.

”Ne si organizatë e veteranëve të luftës të UÇK kemi reaguar me kohë për formmimin e kësaj Gjykate Speciale Ndërkombëtare, që s’ka qenë nevoja të formohet fare, dhe kjo gjykatë na është kthyer në bumerang, sidomos krerëve të UÇK. Ne sot papritmas kemi marrë një lajm bombastik për akuzat ndaj zotit Thaçi dhe Veseli. Mendoj se kjo aktakuzë që është ngritur sot pikërisht në këto momente, ku zoti Thaçi do të udhëtonte drejt SHBA për bisedimet, për ne është e papranueshme dhe kryekëput politike”.

Në lidhje me pretendimin e Prokurorisë Speciale se Thaçi dhe Veseli kanë punuar për frenimin e punës së kësaj gjykate, Gucati tha se kjo është e pavërtetë.

SHKARKO APP