Alarm në Kosovë për gripin e derrit
Komuna e Ferizajt është në panik për mundësinë e përhapjes së gripit të derrit një person ka vdekur ndërsa është dyshuar edhe për disa të prekur. Komuna u mblodh për të diskutuar rreth kësaj çështje.
Zylfer Krasniqi vdiq të hënën në Klinikën Intensive në QKUK. 43 vjeçari i ishte drejtuar kësaj klinike më 25 dhjetor të vitit që shkoi me dyshimin se ai kishte ftohje të thellë të mushkërive.
Por mjekët pastaj u thanë se ai kishte gripin H1N1.
Këto dyshime për familjarët ishin shumë absurde. Krasniqët po insistojnë se familjari i tyre kishte simptoma të një gripi normal i cili sipas tyre u manifestua me koll, temperaturë e humbje të kohë pas kohshme të vetëdijes.
Familjarët thonë se deri më tash as nga QKUK'ja e as nga Instituti i Shëndetit Publik nuk kanë marrë asnjë analizë e cila do të provonte se i ndjeri ishte i infektuar me të ashtuquajturin gripi i derrave.
Për të hequr të gjitha dyshimet familjarët kishin pranuar që tu bëhen analizat edhe atyre ku një 14 vjeçare kishte rezultuar e infektuar.
Ndërkohë Komuna e Ferizajt ka bërë thirrje se nuk kanë arsye për panik nga gripi i derrit. Nëpërmjet nj komunikate të lëshuar për medie është thënë se kjo situatë bëri që kryetari i Ferizajt Muharrem Sfarqa të mbledh sot pasdite për konsultime një pjesë të stafit udhëheqës. Pjesëmarrësit e takimit vendosën si masa parandaluese të ndërmerren këto veprime, tu sqarohet qytetarëve se gripi i derrit është një sëmundje e ngjashme me gripin e zakonshëm me të njëjtat simptoma dhe se atakohen personat me imunitet të dobësuar si dhe personat që kanë edhe sëmundje të tjera. Ndërsa njerëzit e shëndosh e kalojnë pa probleme të mëdha prandaj nuk ka nevojë për kurrfarë paniku.