Alarmi i NATO-s për Kosovën, analisti: Përpjekje për të ulur palët në dialog

Në samitin e NATO-s i cili u mbajt në Washington me rastin e 75-vjetorit nuk munguan as diskutimet në lidhje me marrëdhënien Kosovë-Serbi. Aleanca paqeruajtëse tregoi se ishte e zhgënjyer që angazhimi në dialog nuk ka rezultuar ende me një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Analisti Artan Behrami tha se ky alarm i NATO-s është më tepër një përpjekje për ulur Kosovën dhe Serbinë në një dialog. Ai tha se NATO dhe SHBA janë prezentë në Kosovë, kjo do të thotë sipas tij që Kosova është më e sigurt dhe se çdo situatë është e menaxhueshme.

“Përderisa Serbia nuk e ka ndryshuar agjendën e dominimit në Ballkan, përderisa nuk e ka krijuar agjendën e krijimit të destabilitetit në Ballkan për të marrë rrezikun gjithmonë është permanent. Ky rrezik natyrisht që bëhet edhe më i madh, kur konfirmohet nga SHBA dhe nga një mekanizëm siç është NATO. Megjithatë unë mendoj që NATO, i cili është prezent në Kosovë, i cili ka shtruar trupat në Republikën e Kosovës pas atij aksionit të Serbisë terroriste në Banjskë, mendoj se është mjaftueshëm për të menaxhuar çfarëdo situate që mund të ketë në të ardhmen. Alarmin që e jep NATO dhe bashkësia ndërkombëtare unë e shikoj edhe si një përpjekje për të ulur palët në dialog meqë dialogu gjithmonë është antipodi i luftës . Gjithmonë është përgjigje ndaj luftës dhe sa herë që ka alarme të tilla ka dhe përpjekje brenda diplomacisë të SHBA për të ulur palët në dialog, për të ulur tonet, për të ulur retorikën dhe për të krijuar një dinamikë të re në dialog”,-tha analisti.

Më tej gjatë fjalës së tij Artan Behrami nuk kurseu as kritikat për qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Sipas tij qeveria përpiqet që të marrë të gjitha kompetencat për sigurinë e vendit, që në fakt është NATO dhe SHBA ata të cilët e garantojnë këtë siguri.

”Nëse dëgjoni deklaratat e qeverisë të Kosovës krijohet përshtypja që qeveria e Kosovës është përgjegjësja kryesore dhe vetme për sigurinë e Kosovës, por kjo është e pasaktë meqë NATO dhe SHBA e garantojnë këtë siguri nuk është qeveria e Kosovës e cila ka monopol në ofrimin sigurisë për qytetarët e Kosovës. Ne e ndajmë me NATO-n këtë përgjegjësi, por narracioni i qeverisë është se këta përkujdesen për sigurinë e Kosovës. Kjo nuk është e vërtetë unë e mendoj që ne duhet të marrim seriozisht dhe si të besueshme deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë dhe të SHBA-ve dhe ambasadori amerikan këtu edhe 3 vjet ka përsëritur vetëm një gjë, ai ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të flenë të qetë meqë SHBA dhe NATO është në Kosovë. Deklarata të tilla vijnë gjithmonë kur ka skandale të qeverisë”.

SHKARKO APP