Alarmi për Gjykatën Speciale, gjyqtarja e shqetësuar nga deklaratat e Prishtinës

Një prej anëtareve të Gjykatës Speciale të Kosovës pretendon se gjykata ndërkombëtare rrezikon ekzistencën. Vetë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që pritet të marrë pushtetin në Prishtinë, ka folur kundër saj. Sipas gjyqtares Ekaterina Trendafilova, ajo mund të zhvendoset nga Haga.

Autoritetet e Kosovës po përpiqen ta cenojnë punën e Gjykatës Speciale që po heton krimet e UÇK-së gjatë luftës.

Gjyqtarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në një letër konfidenciale të siguruar nga agjencia e lajmeve, Euroneës, paralajmëron diplomatët europianë se Prishtina po mendon ta ndryshojë ligjin për krijimin e saj në vitin 2015.

Sipas gjyqtares bullgare, presioni është shtuar muajt e fundit pasi Gjykata po shqyrton akuzat ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare, mes tyre ish-presidenti Hashim Thaçi.

Trendafilova thotë se ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë pasi ndër veprimet që parashikohet të ndodhin në muajt në vijim janë zhvendosja e Dhomave të Specializuara nga Haga drejt Prishtinës dhe aministimi i personave nën akuzë.

Pretendimet e Trendafilovës publikohen kur Lëvizja Vetëvendosje me kryetar, Albin Kurtin, fitoi zgjedhjet e fundit dhe është pranë formimit të qeverisë së re në Kosovë.

Kurti nëntorin e kaluar deklaroi në një intervistë se Gjykata Speciale është padrejtësia më e madhe që i është bërë shtetit të tij pas pavarësimit, dhe se drejtësia për krimet e periudhës së luftës duhen të jepet në gjykatat lokale.

Sipas gjyqtares, kjo do cenonte punën e pavarur të Gjykatës dhe do të pengonte daljen e dëshmitarëve.

Në tetor të vitit të kaluar, disa zyrtarë të lartë të Kosovës u akuzuan nga Prokuroria Speciale e vendit për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe vrasje të kryera kur ata luftonin ndaj Serbisë si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa ndodhen tashmë në dhomat e paraburgimit në Hagë.

SHKARKO APP