Albin Kurti-Edi Ramës: Kosova nuk është tokë për tu falur
Nga Albin Kurti
16 muaj më parë, në 3 qershor 2016, në Prishtinë është mbajtur mbledhja e tretë e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë e Kosovës, drejtuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa.
Edhe pse ne do të dëshironim një marrëdhënie më intensive dhe përmbajtësore mes dy shteteve të një kombi, megjithatë Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka vlerësuar si progres këtë mbledhje dhe marrëveshjet e zotimet e dala prej saj. Ishin 6 marrëveshje, një memorandum, dhe 7 detyra konkrete, të cilat u nënshkruan prej dy kryeministrave.
Marrëveshjet ishin të fushave të rëndësishme për ndërtimin e politikave të përbashkëta, në ekonomi e tregti, në fushat e energjisë, infrastrukturës, arsimit, kulturës dhe mjedisit, etj. Afatizimi i detyrave i jepte ngjyrë konkrete atyre marrëveshjeve. Shumë prej detyrave konsiderohej se do të realizoheshin brenda dy muajve.
Por ku jemi sot, pas më shumë se një viti, me ato marrëveshje? Askush nuk është mbajtur përgjegjës për moszbatimin e afateve, e as për ngadalësimin deri në ngecje të marrëveshjeve e detyrave. Askush nuk është pushuar nga puna. Ndërkohë realiteti kërkon një dinamikë krejt tjetër: afatizime, përgjegjësi, moral e vullnet për punë.
E kemi mirëpritur qeverinë e re nga Partia Socialiste dhe z. Edi Rama, sepse kemi shpresuar që kjo qeveri do të angazhohet që mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të krijohet një treg i përbashkët i mallrave dhe shërbimeve, një treg i unifikuar energjitik, një politikë e jashtme e bashkërenduar dhe e njësuar, një bashkëpunim edhe më i afërt në sektorin e sigurisë, si dhe një thellim i gjithanshëm i bashkëpunimit nga arsimi te shëndetësia dhe nga kultura te sporti.
Por, ndërkohë që përparimet në këtë aspekt janë tepër të ngadalta, e më shpesh ceremoniale se sa përmbajtësore, ne dëgjuam se z. Rama po i kërkon z. Haradinaj, kryeministrit aktual të Kosovës, që të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi. Z. Rama pra po kërkon që, kundër asaj që dëshmohet në harta, në dokumente zyrtare, nga profesionistët ekspertë, në mbamendje institucionale, në kujtesë popullore dhe me peticionin masiv qytetar, të përkrahet një marrëveshje e padrejtë që ia heq Kosovës 8.200 ha. të territorit.
Me 32 deputetët e saj tash Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia më e madhe në vend e në Kuvend. Në mënyrën më meritore ne do të merremi me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosovë-Mal i Zi. Nga kryeministri ynë Edi Rama presim që të merret me realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë. Dhe, po ashtu presim që ai të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit. Nuk kemi kohë për të humbur e as tokë për të falur.