Albin Kurti i vendosur për Asociacionin: Nuk bëj hapa që rrezikojnë Kosovën
Në një intervistë për RTK, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, shprehet se Kosova e ka një mundësi të jashtëzakonshme për anëtarësim në KiE, ku sipas tij, nuk ka ndonjë rast tjetër në historinë e Këshillit të Evropës që Këshilli i Ministrave, ka shpërfillë mbështetjen e Asamblesë Parlamentare.
“Mbështjetja për Kosovën nuk ishte thjeshtë vetëm masive por ishte edhe e thellë meqenëse edhe debati dhe argumentet u fituan”, tha Kurti.
Duke folur për çështjen e “Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, Kurti tha se nuk dëshirojnë që ta shndërrojnë marrëveshjen bazike në mjet për atë që quhet “Asociacioni i Komunave” me shumicë serbe.
Ai tha se Kosova sa i përket të drejtave të pakicave ka formulimet e saja kushtetuese dhe ligjore, si pak kush tjetër në botë.
Duke folur për kërkesat e shteteve të QUINT-it, Kurti tha se vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet nuk bën që të mbajnë qëndrim më poshtë se deputetja greke Dora Bakoyannis.
“Shtetet e QUNT-it mos të kërkojnë më pak për Kosovën se Dora Bakoyannis, ose mos të bëjnë për Kosovën trysni më shumë se ajo (Bakoyannis) që vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën”, tha Kurti.
Kryeministri tha se Kosova është e gatshme që të bashkëpunojë, por theksoi se nuk mund të presim që Kosovën të tjerët ta duan më shumë se ne.
I pyetur se a është i gatshëm që të rrezikojë anëtarësimin në Këshill të Evropës, nëse çmimi është lëvizja drejt asociacionit, kryeministri Kurti tha: “Unë nuk bëj hapa që e rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial, kushtetueshmërinë dhe ligjmërinë e Kosovës”.