Albin Kurti kujton Skënderbeun në 552- vjetorin e vdekjes së tij: Luftoi për bashkim

Kreu i LVV, Albin Kurti ka reaguar për 552- vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Kurti thotë se pavarësisht se dallimi mes mesjetës dhe sot është i madh, disa vlera të Skënderbeut janë frymëzim edhe për sot si trimëria e pashoq, aftësia e lartë ushtarake, gatishmëria kundër ushtrive shumë të forta apo dhe mbrojtja e pavarësisë së tokës së tij.

Po ashtu ai përmend edhe frazën e famshme të tij ‘Lirinë nuk ua solla unë, por atë e gjeta këtu midis jush’, duke komentuar se ndoqi parimin e bashkimit të kombit shqiptar.

STATUSI I ALBIN KURTIT

Para 552 vitesh, sipas konsensusit të gjerë të historianëve, vdiq në moshën 62-vjeçare heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ai jetoi e luftoi në kohë të tjera, në mesjetën e principatave të vogla e perandorive të mëdha feudale. Dallimi i mesjetës me kohën tonë është aq i madh, sa që çdo krahasim politik do të ishte një përkthim i paqëndrueshëm. Por, megjithatë disa nga vlerat njerëzore e politike mund të përdoren për frymëzim edhe sot. Trimëria e tij e pashoq, aftësia e lartë ushtarake e pranuar edhe nga armiqtë, gatishmëria për t’u përballur me ushtri shumë më të forta, për të mbrojtur pavarësinë e tokës së tij, duke krijuar de-facto një shtet të pavarur arbëror.

Por unë sot dua të marr një tjetër prej tipareve të vyeshme të Skënderbeut tonë: bashkimin për liri. Historianët na tregojnë për fjalinë e famshme me të cilin ai përshëndeti popullin pas rikthimit si fitimtar në Krujë: Lirinë nuk ua solla unë, por atë e gjeta këtu midis jush. Kjo fjali edhe sot tingëllon progresiste. Individualizmi bazohet te liria, por liria mbërrihet vetëm prej angazhimit kolektiv, ajo banon te bashkësia. Individi duhet të bashkëpunojë, që të ecë përpara si individ. Fjalia e Skënderbeut duhet të jetë thënë vërtet, po të shohësh se ai e ndoqi parimin e bashkimit edhe me Besëlidhjen e Lezhës, ku u përpoq të mblidhte sa më shumë prijës arbër, minoritarë e disa aleatë fqinj, për ta bërë rezistencën. Po t’i kishte mbledhur të gjithë, po të kishin bashkëpunuar me disiplinë, mbase do të ishte themeluar një shtet edhe më jetëgjatë. Por, historia nuk bëhet me nëse, e koha nuk kthehet kurrë pas…

SHKARKO APP