Albin Kurti merr vendimin: Taksa ndaj Serbisë do të hiqet, zëvendësohet me reciprocitet
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në konferencë për shtyp se taksa ndaj Serbisë do të hiqet tërësisht dhe do të zëvendësohet me reciprocitet.
Vendimi do të hyjë në fuqi sot para mesnatës dhe do të mbetet deri më 15 qershor kur do të bëhet një vlerësim se si ka ecur vendimi sa i përket implementimit, thotë Kurti.
“Këtë vendim që po e marrim sonte detyrohen ta zbatojnë Policinë Kufitare, Dogana e Kosovës, Agjencia e Veterinarisë dhe institucionet e tjera. Në këtë mënyrë ne po e sjellim vendimin që hyn në fuqi menjëherë me rastin e nënshkrimit, ndërkohë që mbledhja do të zgjasë deri në orën 22:00”, tha Kurti duke shtuar “Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor dhe do të bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm për të parë se si ka ecur zbatimi dhe implementimi. Nuk do të mjaftohemi vetëm me këtë, por pika 3 e këtij vendim-propozimi thotë se do të rishikohen zbatimet së paku njëherë në muaj duke i mbledhur të dhënat nga zyrtarët tonë doganorë”.
Më herët taksa ishte hequr vetëm për produkte të lëndës së parë që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.