Albin Kurti: Nuk e marrim pushtetin me dhunë
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje: Duan ta bëjnë Kosovën si Bosnja
Në Kosovë, qeveria dhe opozita po këmbejnë kritika pas protestave të së martës që u përfshinë nga dhuna, e cila la pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale. Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se këto dy çështje këto janë dy pika neuralgjike: ministri Aleksandër Jablanoviç si koncept serbomadh dhe në anën tjetër Trepça, si shans për zhvillim të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai thotë se synim i Serbisë nuk është okupimi i Kosovës, por bosnjëzimi i saj.
Zoti Kurti, protestat e organizuara prej jush dhe rrjedha e tyre kanë rritur tensionet në Kosovë. Si mund të shtendoset kjo gjendje?
Ka tri javë që kanë filluar protestat në Kosovë. Fillimisht me kërkesën për shkarkimin e Jablanoviçit nga qeveria e Kosovës dhe më pas edhe me mbrojtjen e Trepçës, nëpërmjet një ligji të veçantë që e bën Trepçën ndërmarrje publike të veçantë. Dhe këto protesta kulmuan në ato dy të fundit në Prishtinë, e para më 24 janar, të shtunën që shkoi, ndërkaq tjetra të martën më 27 janar. Në protestën e fundit kishte një intervenim brutal e mizor të policisë, me ç’rast ata na trajtuan neve ashtu siç ishte deklarata e Jablanoviçit, pra si egërsira. Fillimisht na i vendosën barrierat metalike në sheshin Skënderbeu, duke mos na lejuar që të kemi lirinë e qarkullimit dhe grumbullimit paqësor dhe më pas në rrugët e Prishtinës kanë gjuajtur me pushkë të gjata, me plumba gome, me ç’rast ka pasoja prej kalimtarëve të rastit me këmbë të thyer e deri te një protestues 29 vjeçar, të cilit nuk dihet nëse do t’i shpëtojë syri, për shkak se është goditur me plumb gome në sy. Kjo ka qenë për neve e papritur, sepse nuk kemi menduar që kaq gjatë dhe kaq shumë do ta mbrojnë Jablanoviçin i cili na e mohon historinë dhe na e nëpërkëmbë dinjitetin nga pozicioni i ministrit të qeverisë së Republikës.
Për shumë kë ministri Jablanovic dhe Trepça ishin vetëm njëfarë “casus belli”, njëfarë preteksti për protestat. Pse është kaq me rëndësi ministri Jablanoviç?
Ne kemi pasur ministra serb edhe në qeveritë e mëhershme. E kemi pasur Nenad Rashiçin, ministër të punës dhe mirëqenies sociale, mirëpo ai asnjëherë nuk ka thënë që në Kosovë Serbia nuk ka bërë krime, nuk ka kryer masakra. Ai asnjëherë nuk i ka quajtur shqiptarët egërsira. Përkundrazi, e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe ka dashur gjithmonë dhe me gjithë mend të kontribuojë në integrimin e serbëve në institucionet kosovare edhe në shoqërinë kosovare. Jablanoviçi është diçka tjetër. Ne nuk kemi problem me Jablanoviçin pse është serb. Ne nuk kemi fare problem me serbët civil. Problemi me Jablanoviçin është sepse deklarata e tij, përveç se është e palejueshme, në të njëjtën kohë, ajo është shprehje e Serbisë brenda Kosovës. Pra misioni i kreut të Listës serbe, qartazi është që me deklarata të llojit të Milosheviçit e Sheshelit, ta dobësojë edhe Kosovën për nga funksionimi përbrenda edhe karshi Serbisë. Prandaj, unë besoj që tash është momenti që Jablanoviçit t’i tregohet vendi. E vendi i tij duhet të jetë jashtë qeverisë së Republikës. Pra, nuk duhet shtyrë kjo punë më vonë. Jablanovici është mbiemri i përveçëm i një ministri, por në të njëjtën kohë edhe emri i një koncepti të përgjithshëm serbomadh në Kosovë. Pra, nuk është Jablanoviçi vetëm një person i veçantë, një person i posaçëm, por në të njëjtën kohë ai është shumë më tepër se kaq. Është vet Serbia brenda Kosovës e cila po tenton të na bosnjëzojë.
A nuk po humbet shumë energji në çështjen Jablanoviç, që fundi i fundit me deklarata e tij do t’i kushtonte më shumë qeverisë sesa juve?
Veçse ka disa themele të popullit dhe të institucioneve që janë të padiskutueshme. Nuk mundet dikush të na thotë neve tash që këtu s’paska pasur masakra. Sepse ai po e përgatitë shtegun për ta kthyer Serbinë në Kosovë me këto deklarime. Ne e dimë që edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, një ndër argumentet kryesore, në fakt kryesori që është përdorur prej të gjithë atyre që morën anën e Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë, ishte pikërisht krimet e Serbisë. Dhe tash ky vjen edhe godet aty.
Por, ky nuk mund ta ndryshojë historinë zoti Kurti. Mendoj që është deklaratë shumë e fortë që ai po e kthen Serbinë në Kosovë?
Jo, ai po e hap shtegun për një synim të Serbisë, e cila nuk do tash ta okupojë krejt Kosovën, por ta bosnjëzojë atë. Nuk po them që qëllimi është që Serbia ta okupojë krejt Kosovën. Serbia dëshiron që ta bosnjëzojë Kosovën me një entitet të veçantë, ku thuhet, krime ka pasur nga të dyja palët në fund të fundit. Por, para se të thuhet se krime ka pasur nga të dyja palët, së pari sulmohen krimet e Serbisë në Kosovë, duke tentuar së paku të minimizohen ato. Natyrisht që ne të gjithë e dimë që ka pasur krime të Serbisë në Kosovë dhe natyrisht që Jablanoviçi nuk ja ndryshon askujt mendjen me deklaratën e tij. Por, kjo është asfaltim për synimet hegjemoniste të Serbisë. Besoj që të gjithë qytetarët e kanë parë që mos shkarkimi i Jablanoviçit nga Mustafa, është papërgjegjësi e jashtëzakonshme e Mustafës, meqenëse kryeministri nuk është përgjegjës vetëm kur vepron, por edhe atëherë kur nuk vepron e do të duhej. Unë nuk e kuptoj bash tërësisht, si bëhet që Mustafa e merr ne mbrojtje Jablanoviçin, si bëhet që ai e minimizon deklaratën e Jablanoviçit dhe në të njëjtën kohë, si bëhet që Mustafa nuk e kupton që duke e mbrojtur Jablanoviçin, u jep leje Jablanoviçëve që ta përsërisin atë deklaratë. Me vet faktin që ti nuk reagon ndaj një deklarate të tillë, përmes shkarkimit si kryeministër, kjo shndërrohet në leje për deklarata të tilla në të ardhmen. Prandaj, ky është momenti kur duhet ndalur njerëzit e tillë.
Hipotetikisht ta zëmë që qeveria shkarkon Jablanoviçin dhe kësisoj nxit reagimin e Listës serbe e cila mund të tërhiqet nga qeveria dhe ta çojë vendin në një situatë kur ai do të detyrohej të shkojë në zgjedhje të reja. Kush mendoni se do të fitonte zgjedhjet? Çfarë nëse do të kishte sërish një situatë të njëjtë politike?
Besoj që ka gjëra për popullin, shoqërinë, kombin, shtetin tonë më të rëndësishme sesa mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nuk po të mbetet Republika as në letër nëse tolerohet deklarata e Jablanoviçit dhe vazhdon të sulmohet Trepça. Pra, këto janë dy pika neuralgjike: Jablanoviçi si koncept serbomadh dhe në anën tjetër, Trepça, jo vetëm si krenari e popullit tonë, por edhe si shans për zhvillim në të ardhmen. Këto janë tejet më të rëndësishme se çfarëdo zgjedhjesh për të cilat unë tash as nuk dua të flas as të mendoj.
A po synoni në njëfarë mënyre, siç ka thënë edhe qeveria, që ta merrni pushtetin nëpërmjet rrugës që sigurisht do të nënkuptonte rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja?
Ata nuk janë në gjendje të mendojnë më shumë dhe përtej pushtetit të tyre, andaj edhe tash po e mbajnë pushtetin me dhunë dhe duke e mbajtur pushtetin me dhunë, dëshirojnë që të na fajësojnë neve se po duam t’ua marrim atë. Askush nuk po dëshiron t’ua marr pushtetin. Ne po duam që të mos lejojmë që ministër në qeverinë e Republikës së Kosovës edhe më tutje të jetë Jablanoviçi dhe që të na e kthejnë ligjin për Trepçën që e bën Trepçën ndërmarrje publike, sepse pa Trepçën ne nuk e kemi shansin për zhvillim industrial të ekonomisë dhe vendit tonë.
Ju thoni se dëshironi ta shpëtoni qytetarin nga kjo qeveri. Si?
Shikoni. Me këto protesta paqësore, ne rrugët e Prishtinës po i shndërrojmë në sheshe, për shkak se sheshi është bërë rruga në të cilën e mbrojmë edhe Republikën, edhe historinë edhe dinjitetin edhe Trepçën edhe qytetarin e republikës i cili është në shesh tashmë. Pra, kur institucionet e mbajnë dhe e mbrojnë deklaratën fashiste, raciste të përfaqësuesit të Serbisë kundër shqiptarëve, natyrisht që ato institucione bëhen të pamjaftueshme. Dhe po e them edhe njëherë, në javën që shkoi nuk thirrën seancë të jashtëzakonshme, ndërkohë që kryeministri ka mundur ta bëjë këtë. Ndërkaq ne si opozitë nuk i mbledhim dot 40 nënshkrime, meqenëse Vetëvendosje edhe kur t’i bashkohen deputetët e AAK-së dhe Nismës, i ka 33 deputetë.
Për javën e ardhshme keni paralajmëruar sërish protestë. A jeni të gatshëm të punoni për të shmangur dhunën dhe të distancoheni prej saj, sepse jeni kritikuar që nuk po e bëni këtë?
Ne kërkojmë që policia të mos vendosë barriera metalike në sheshin Skënderbe. Ne e dimë që qeveria e ka ndarë veten nga Skënderbeu nëpërmjet grilave. Nuk ka nevojë që të na vendosë barriera metalike të na ndajë edhe neve nga Skënderbeu dhe ta gjymtojë sheshin. Sheshi është i qytetarëve. Tash, ka sheshe pa republikës, por nuk ka republike pa shesh. Dhe atë ditë më 4 shkurt, të mërkurën e ardhshme pra, në do të grumbullohemi tek përmendorja e Zahir Pajazitit në ora 12 dhe do të marshojmë drejt sheshit Skënderbe, me ç’rast do të kemi kujdestarët tanë që do të kujdesen që protesta të jetë tërësisht paqësore. Mirëpo, shpresojmë që policia nuk do t’i sjellë ato barriera metalike dhe nuk ta sjell atë armatim në shesh, të cilin qartazi më 27 janar nuk e solli për ta ekspozuar, por për ta përdorur.