Albin Kurti projekton Kosovën e të ardhmes: Fisnike, madhështore, e panënshtruar dhe e vendosur!
Mesazhin e tij për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ai e nisi me një urim për qytetarët e tij në këtë ditë të rëndësishme.
Kryeminsitri, Albin Kurti, thotë se pavarësia është përpjekja vazhdueshme e popullit të Kosovës për të cilën puna nuk përfundon asnjëherë.
Albin Kurti: Ajo ishte ideali përbashkues i brezave para nesh dhe vijon të jetë sfida përpara nesh. Sot Kosova është një hap prapa popullit të vet, ajo nuk është në ditët e veta më të mira por populli ka shpresa më të mëdha se kurrë më para. Shpresa e popullit është detyra jonë.
Koshient për dallimet politike dhe sfidfat që e presin Kosovën në raport me zhvillimet brenda dhe jashtë saj, Albin Kurti thotë se është koha për vendime dhe që qeveria dhe shteti i Kosovës të jetë në lartësinë e popullit të vet.
Albin Kurti: Ne të gjithë kemi mospajtimet dhe dallimet tona por si qeveri është kjoha të marrim vendime. Nuk do t’ju shmangemi vështirësive, por do t’ju bëjmë ballë atyre.Këto vendime do ta lartësojnë Kosovën në nivel me popullin e saj sepse detyra e qeverisë është të jetë në hap me popullin për çfarë i takon dhe meriton ai. Fisnike, madhështore, e panënshtruar dhe e vendosur. Potenciali i popullit të Kosovës ishte shumë më para se kapaciteti i qeverive të deritanishme. Tani do të kemi qeveri që do ti realizojë kërkesat e qytetarëve të saj. Të rinjtë tanë tregojnë më shumë suksese jashtë se këtu. Kjo sigurisht që është e dhimbshme por edhe shpresëdhënëse. E dhimbshme sepse ajo nuk po zhvillohet këtu dhe shpresëdhënëse sepse do të mund të zhvillohet edhe këtu.
Mesazhi i tij është i qartë, të gjithë bashkë për Kosovën.
Albin Kurti: Të bëhemi bashkë dhe të punojmë për ditë më të mira. Zhvillim ekonomik pra punësim, rend e ligj e siguri pra drejtësi, arsim dhe shëndetësi pra mirëqënie, politika sociale pra barazi, politikë e jashtme pra dinjitet, integrim europian pra përparim, infrastrukturë dhe energji pra stabilitet, kulturë dhe sport pra gëzim, dhe mërgata jonë pra bashkëpunim. Këto janë prioritetet tona. Gëzofshi përherë me më të dashurit tuaj, secili, të gjithë bashkë!