Albin Kurti: SHBA e BE më shumë presion Tiranës e Prishtinës se sa Serbisë
Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ftuar në intervistën e mbrëmjes në studion e lajmeve në Ora News, shpjegoi arsyet se pse marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është e padrejtë.
Ai tha se marrëveshja është firmosur mbi kritere jo natyre dhe historike por hartografike të ish-mbretërisë jugosllave të vitit 1931. Kurti shprehet se Malit të Zi i falet 8 200 hektarë tokë dhe se çdo shtet nuk do të bënte zë kur përfiton një hapësirë të tillë.
Ai deklaron se partia e tij ka krijuar destabilizimin e padrejtësisë në Kosovë, duke shtuar se gazi lotsjellës është metodë ekstreme por dëmet e tij zgjasin 30 minuta. Sipas Kurtit, padrejtësitë e qeverisë zgjasin 30 vite.
Kurti ndodhet në Tiranë ku zhvilloi një takim me mbështetës të kësaj lëvizje. Deputeti i Vetëvendosjes foli edhe për rolin e ndërkombëtare, duke theksuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë stabilitet në Ballkan dhe më shumë presion u bëhet shteteve pa rezistencë siç është Kosova dhe Shqipëria dhe jo Serbisë.
Sipas Kurtit, Parlamenti serb është i mbushur me kriminelë lufte dhe BE-ja nuk e vë kusht këtë për Serbinë.
Intervista:
-Ju ishit në Tiranë në një takim falënderues për mbështetjen që ju ka dhënë Tirana për kauzën tuaj? Çfarë do të thotë ky takim dhe nga kush ka ardhur kjo mbështetje?
Kurti: Mbështetja ka ardhur nga shoqëria civile, profesionistët e shquar të Shqipërisë, si Myslim Basha, Enis Sulstarova, Abdi Baleta, Hysamedin Feraj, etj, të cilët kanë argumentuar dhe faktuar që Kosova humbet 8 mijë e 200 hektarë me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Më 14 shtator nuk kaloi marrëveshja. Qeveria e tërhoqi projektligjin, pasi në Prishtinë ekziston një situatë e nderë. Kishte edhe deputetë nga pozita të cilët kishin argumentuar që demarkacioni me Malin e Zi ishte i dëmshëm. Peticioni qytetarë, protestat dhe demonstratat, mandej argumentet e këtyre ekspertëve na kanë ndihmuar që ta krijojmë masën kritike që zmbrapsi qeverinë.
-Megjithatë, qeveria thotë se do ta rikthejë?
Kurti: Qeveria tash që u tërhoq duhet të dorëhiqet. Prandaj thotë se do ta rikthejë në mënyrë që të zbusë sado pak defansifën në të cilën ajo ndodhet. Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka qenë projekti i parë i kësaj qeverie që na bosnjizon neve. Ai projekt ka vdekur tashmë! Ka vdekur edhe demarkacioni me Malin e Zi. Kjo qeveri natyrisht është edhe mundësia dhe kushti i ringjalljes së demarkacionit. Por ne jemi aty që të mos e lejojmë një gjë të tillë. Na nevojitet demarkacioni me Malin e Zi por jo kjo marrëveshje, e cila na humbet 75 km gjatësi lumore dhe mbi të gjitha kuotat e larta strategjike ushtarake, siç është Qafa e Qakorrit dhe kulla e Zhlebit, meqë kufiri zhvendoset 4 km vijë ajrore në brendësi dhe e bën shumë të brishtë territorin e Kosovës.
– Ekspertët ndërkombëtarë thanë se marrëveshja ishte e rregullt. Dolën shumë versione nga ekspertë të tjerë. Kjo kakofoni çfarë ka sjellë?
Kurti: Ka qenë një ekspert i qeverisë, më i theksuari Tomor Qela dhe së fundi pjesërisht iu bashkua edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Çështja është që Kosova ka negociuar mbrapsht mbi një bazë të gabuar. Baza ka qenë që çdo pjesë e territorit të bjeshkëve të Rugovës që ne nuk mund ta dëshmojnë me regjistra kadastralë e merr Mali i Zi. Kjo është absurde! Siç ka thënë profesori i shquar Zejnullah Gruda, demarkacioni i kufirit nuk bëhet me kufi kadastralë thua se po ndahen kushërinjtë që nuk u mor vesh.
-Cili është ndryshimi midis kufijve kadastralë dhe territorit që njihet nga e drejta ndërkombëtare?
Kurti: Është çështje e ndarjes së sovraniteteve. Pra, ndarja e shteteve me kufi të demarkuar ka një logjikë shkencore. Në anën tonë nuk ka qenë vetëm e drejta politike, por edhe e vërteta shkencore. Është aspekti hidrologjik, ujë ndarja. Kufiri shkon për kurrizin e vargmalit. Mirëpo, me negocimin që ka bërë komisioni shtetëror i Kosovës, ne praktikisht ia kemi falur Malit të Zi, 8200 hektarë.
Nuk ka shtet në botë që kur t’ia falësh 8200 ha, nuk i merr. Çështja është të mos i falësh ato. Biles Mali i Zi nuk ka libra kadastralë as për komunën e Rozhajës, në anën tjetër të kufirit. Çështja është që nuk është dashur të përdoren librat kadastralë si kriter i parë e aq më pak i vetëm. Është dashur të përdoret kriteri i natyrës, historisë, gjeografisë, ujë-ndarjes. Ekspertët ndërkombëtarë kanë konstatuar se procedurat kanë qenë në rregull.
-Me pakon e Ahtisarit është njohur ky territor dhe ju nuk e keni kundërshtuar. Pse u kundërshtua tani?
Kurti: Plani i Ahtisasri thotë se kufiri i Kosovës duhet të jetë ai i vitit 1988. Ahtisari nuk thotë se ku i bie kufiri. Problemi është që këta kanë marrë si bazë planimetrinë kadastrale të kohës të mbretërisë jugosllave të vitit 1931 kur s’ka pasur Kosovë me këto kufi. Komisioni Shtetëror i Kosovës ka bërë një koncesion absurd mbi një kriter të papranueshëm. Mali i Zi nuk ka mundur të thotë që e dua kufirin aty ku ua ka dhënë Murat Meha. Mali i Zi ka vendosur një kriter që do të sillte këtë rezultat, por ky kriter është i gabueshëm. Ka shumë vende në botë që kanë probleme kufitare.
-Zgjedhin të njëjtat metoda për t’i zgjidhur këto probleme?
Kurti: Së pari, metodat që ka përdorur qeveria jonë nuk i përdor asnjë qeveri në botë. Rrjedhimisht edhe metodat që i përdor opozita nuk është si i gjen në shumë vende të botës. Ne kemi përdorur gazin lotsjellës. Ne jemi aktivistë që jemi bërë deputet dhe nuk kemi hyrë në Parlament që ta lëmë protestën pas dere.
Ne kemi nevojë për një subjekt politik që është lëvizje dhe jo thjesht për një parti politike. Ne e kemi vënë kredibilitetin tonë në rrezik. Nuk është e kollajshme që një deputet të hedhë gaz lotsjellës në Kuvend.
-Pikësëpari ju duhet të krijoni kredibilet tek populli..
Kurti: Ne kemi bërë pikësëpari destabilizimin e padrejtësisë. Projektet qeveritare janë të padrejta dhe ata dëshirojnë stabilitetin e rendit në fuqi. Tymi i gazit lotsjellës largohen në 30 minuta, ndërsa pasojat e tyre nuk largohen për 30 vite. Që të gjithë janë shëndosh e mirë sot. Unë besoj që territori është pjesë e shtetit. Thelbi i territorit është kufiri.
-A mund të krijonit një iniciativë për ta çuar çështjen në arbitrazh ndërkombëtar?
Kurti: Jemi për dialog, por dialog para vendimit. Ai dialog që vjen pas vendimit më shumë shërben si maskim për vendimin. I kemi shterrur të gjitha mjetet. Mos harroni që më 26 gusht kur është nënshkruar marrëveshja në Vjenë, Kuvendi ka qenë në pushim vjetor. Erdhën e thanë u krye kjo punë! Përkrahja e popullit për mua që hedh gaz lotsjellës është më e madhe.
-Si është situata aktuale në Kosovë? Integrimi…faktori ndërkombëtar kërkon afate për integrimit dhe shpesh herë ndërhyrja e tyre është për të respektuar këto afate.
Kurti: E vërtetë është! Nuk janë mjaftueshëm të balancuar në Ballkan. Shumë më tepër po i qesin kushte Kosovës se sa Serbisë, ndërkohë që ne jemi viktima. Në Parlamentin e Serbisë ka kriminelë lufte që askush nuk i përmend. Do të duhet që edhe Serbisë t’i viheshin kushte të ta spastrojë Parlamentin nga kriminelë. Pse BE-ja nuk i thotë Serbisë që kush ka marrë pjesë në luftë nuk mund të bëhet deputet, sepse Vuçiçi vet ka marrë pjesë. Nuk i thotë për shkak se faktori ndërkombëtar dëshiron stabilitet rajonal dhe bëjnë trysni më shumë aty ku ka rezistencë më pak. Në Serbi ka rezistencë, në Prishtinë dhe në Tiranë ka më pak dhe ne na bëjnë më shumë trysni. BE-ja dhe SHBA-ja po na dërgojnë më shumë rrymë, sepse ne e kemi tensionin e ulët. Tensioni mbetet konstant në Ballkan.