Albin Kurti shkund politikën: Zgjedhjet e reja janë të nevojshme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është shprehur se mbajtja e zgjedhjeve të reja në Kosovë është shumë e nevojshme. Duke renditur një sërë problemesh, kreu i Vetëvendosjes thekson se ligjin për mbrojtjen sociale është tepër i cunguar dhe nuk  reflekton përmirësim në jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Çdo i treti banor i Kosovës ka qasje të vështirë në kujdesin shëndetësor, kurse çdo i pesti nuk kërkon shërbime edhe në rast të sëmundjes, për shkaqe ekonomike. Vdekshmëria e foshnjeve në Kosovë është katërfish më e lartë sesa mesatarja në Bashkimin Evropian. Çdo i nënti fëmijë në Kosovë punon, ndërkaq vetëm çdo e teta grua ka një vend pune. Kosova i ka 34 ligje për mbrojtje sociale por pak zbatohen”, shkruan Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes ri përsëriti se ligjet në Kosovë nuk janë të këqija, por institucionet janë të dobëta dhe  njëherësh qëndrojnë larg nevojave të qytetarëve.

“Investimet në ekonomi zhvillimore kanë rënë, gjersa korrupsioni nëpër ndërmarrje publike është rritur. Institucionet e shtetit janë përgjigja për nevojat e shoqërisë dhe të drejtat e qytetarëve, e jo shans për interesat private dhe partiake. Ndryshimi tashmë nuk është zgjedhje, por nevojë jetike. Andaj, zgjedhjet e reja janë aq shumë të nevojshme”, shprehet me tej Kurti.

SHKARKO APP