Albin Kurti: Shqiptarët në Maqedoni më dhimbsen ma së shumti
Themeleusi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se shqiptarët në Maqedoni i dhimbsen më së shumti.
“Më dhimbsen, sepse ata janë 1/3-ta e popullsisë. Maqedonia është një shtet i kontestuar, e, megjithëkëtë, si shqiptar në Maqedoni jetohet fort keq e vështirë. Nëse nga Kosova e Shqipëria ka valë të kohëpaskohshme të shqiptarëve që emigrojnë, në Maqedoni s’ka valë të tilla, sepse emigrimi është një baticë e pambarim. Kurdo që udhëtoj në Evropë numri i shqiptarëve nga Maqedonia që më rastis të takoj është së paku po aq i madh sa i atyre nga Kosova”, deklaroi Kurti për revistën Shenja.
“Protesta e 9 majit, e mbajtur në përvjetorin e ngjarjeve në Kumanovë dhe në ditën e Evropës e të ngadhënjimit mbi fashizmin, konfirmoi që populli shqiptar në Maqedoni e do lirinë dhe barazinë, se ai edhe e kupton rëndësinë e protestës edhe nuk frikësohet nga regjmi. Protesta të tilla duhet të ketë më shpesh. Meqenëse gatishmëria e popullit është aty, kurse gjendja sa vjen e rëndohet, është përgjegjësi e organizatorëve që t’i shpeshtojnë protestat. Fundja, nga historia më e re e dimë se, nëse Serbia ka përvojë në luftëra, ne shqiptarët kemi në demonstrata e për to. Kjo është arsyeja pse opozitës në Maqedoni, shumë më kollaj seç mendohet, do të mund t’i prijnë e ta përbëjnë shqiptarët”, u shpreh gjithashtu ai.