Albin Kurti të hënën, vizitë në Maqedoni e Veriut, cila është axhenda e tij?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën do të realizon një vizitë pune në Maqedoni të Veriut, ndërsa do të jetë i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu konfirmoi për Telegrafin se në takim do të diskutohet për raportet bilaterale ndërmjet dy shteteve.
“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Kryeziu njoftoi se për realizimin e kësaj vizite është dakorduar më 20 korrik.
Ndryshe, vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut, vjen pak ditë pas incidentit që ndodhi në aeroportin e Shkupit. Ku sipas Presidencës së Kosovës, një pjesëtar i sigurimit tentoi t’i merrte telefonin personal presidentes Osmani për ta vendosur në skanerë.
Presidenca e Kosovës ka bërë disa sqarime rreth situatës së krijuar në aeroport, duke rikujtuar se kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike.
Për incidentin në Shkup, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilët kanë kërkuar menjëherë informata zyrtare për rastin.
Gjithashtu, reagime ka pasur edhe nga përfaqësuesit e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
/Telegrafi/

SHKARKO APP