Albin Kurti: Unë si Cipras? Krahasime instrumentale dhe të pathelluara
“Krahasimet me Ciprasin po m’i sillni ju në vëmendje, me sa duket ende nuk janë bërë aq të shpeshta. Nuk e njoh shumë këtë personalitet politik as subjektin e tij, kam lexuar pak për të kryesisht këto ditë, për shkak të situatës së re në Greqi" – thotë Albin Kurti në një intervistë me DITA .
“Mua më kanë krahasuar me shumë figura, si dashamirëse ashtu edhe dashakeqe. Por besoj se këto krahasime janë kryesisht instrumentale, dmth. duan të krijojnë perceptime mbi mua në opinionin publik. Përgjithësisht kam përshtypjen se nuk janë krahasime të thelluara, që bazohen në ndonjë hulumtim të momenteve politike, diskursit, përmbajtjes, etj. Jam mësuar të buzëqesh edhe me krahasimet më dashakëqija" – i thotë Kurti gazetares Mira Kazhani.
Pyetjes nëse kishte mundësi të shmangte dhunën në protestën e fundit në Kosovë, Kurti i përgjigjet:
“Mundësinë për ta parandaluar dhunën e ka gjithnjë qeveria. Ata fare lehtë do të mund ta pushonin nga puna ministrin që bëri komente raciste. Kjo do të ndodhte në çdo vend demokratik të botës, pa patur nevojë për protesta. Po ashtu qeveria e ka në dorë të sjellë në Kuvend një Ligj për Trepçën, ku kjo pasuri strategjike e kombit tonë të mbetet publike e të vihet në përdorim për të sjellë zhvillim e punësim në Kosovën e varfër e të papunësuar. Qeveria këtë nuk e bëri thjesht për shkak të ultimatumit që i dha Vuçiçi, pra qeveria e Kosovës iu nënshtrua urdhrave të Beogradit. Këtu është derdhur gjak për dhjetëra vjet që kjo të mos ndodhë. Gjaku i derdhur nuk mund të shkelet kaq lehtë…”
“Ne jemi të lodhur prej të qenit të dominuar, si popull, si shqiptarë, por edhe si qytetarë e si individë… Ne nuk po kërkojmë pushtet pa votë. Edhe sikur ta hapnin zyrën Thaçi e Mustafa e të na thoshin “merreni”, ne nuk do të hynim. Kërkesat tona janë të qarta, qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të plotësojë kërkesat e protestuesve. Të pushojë nga puna Jabllanoviçin dhe të bëjë Ligjin për Trepçën" – thotë Kurti.
Në pergjigje te pyetjes se pse u kthyet në rrugë serish, ai thotë:
“…Ne e kemi thënë gjithnjë, politika bëhet në institucione edhe në sheshe, e ne nuk do të heqim dorë prej asnjërës. Të dyja këto janë esenciale për një lëvizje që synon demokracinë dhe që kërkon ta bëjë politikën politike. Shtetet më të zhvilluara e më demokratike kanë vazhdimisht protesta edhe më të dhunshme se në Kosovë. Shtetet që nuk lejojnë protesta të tilla nuk janë as demokratike as të zhvilluara. Protestën nuk e krijojmë nga asgjëja. Protesta ndodh si pasojë e pabarazisë që po mbërrin nivele ekstreme, si pasojë e padrejtësisë institucionale dhe socio-ekonomike, si dhe si pasojë e varfërisë e papunësisë. Pa i zgjidhur këto probleme strukturore nuk mund të kesh popull të paqtuar e të qetë. Popujt që kanë vetëdije qytetare të lartë nuk i durojnë dot këto padrejtësi. VETËVENDOSJE! këtu shërben vetëm si logjistikë politike, organizon dhe artikulon politikisht atë që tashmë ekziston…”