Alfred Moisiu: Kosova, e rrezikuar nga të kthyerit e Sirisë

Bashkimi Evropian po përdor standarde të dyfishta duke u dhënë më shumë të drejta serbëve në veriun e Mitrovicës sesa shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Unë e kam parë këtë situatë e cila nuk është aspak e drejtë.  Politikanët tanë për këtë gjë duhet të luftojnë. Brenda të gjitha normave demokratike, mirëkuptimit pa shkelur faktin se ne duhet të jemi mirënjohës ndaj SHBA-ve”, tërheq vërejtjen ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Kështu, në një intervistë për gazetën ‘Fjala’, ai vlerëson se situata politike në Kosovë nuk është e qetë. Sipas tij, politikanët në Kosovë duhet të bashkojnë forcat dhe shqyrtojnë  mundësitë sesi të kalohet kjo situatë.

Moisiu, edhe si njohës i çështjeve të sigurisë, ka theksuar se Kosova e Shqipëria duhet të kenë kujdes nga sulmet e mundshme terroriste. Sipas tij, rreziku më i madh i vjen Kosovës nga të rinjtë që janë kthyer në vend nga Siria.

“Ata janë armatosur  me ideologjinë e ISIS-it, por edhe me metodat  e tyre të luftës dhe bëjnë një punë të çuditshme, bëjnë një shpëlarje të paparë të trurit për mendimin tim. Duhet të jemi të gatshëm që të mos kapemi në befasi nga këto sulme”, ka deklaruar ish-presidenti Moisiu.

Ai ndër të tjera thotë edhe se Kosova duhet patjetër që sa më parë të ketë ushtrinë e saj.

“Kemi disa pengesa të konjukturave ndërkombëtare, por ama ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për ta bërë Kosovën zyrtarisht me ushtri”, ka thënë Moisiu.

Ish-presidenti ka qëndruar dy ditë në Kosovë ku edhe ka mbajtur një ligjëratë me studentët e kolegjit ISPE ku edhe është dekoruar me medaljen ‘Honoris Causa”.

SHKARKO APP