Ambasada Amerikane në Prishtinë kundër taksës 100 për qind për mallrat serbe

Në ditën e njëjtë që ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott u shpreh kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksë 100 për qind për produktet nga Serbia, edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë kanë dalë ashpër kundër këtij vendimi.

E ngarkuara me punë në këtë Ambasadë, Colleen Hyland, përmes rrjetit social Twitter, ka shkruar se kjo taksë nuk siguron normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

“Rritja e tarifave për anëtarët e CEFTA-s është e barabartë me rritjen e dhimbjes për qytetarët e Kosovës, rritjen e tensioneve dhe rritjen e dëmit të reputacionit të Kosovës”, ka shkruar Hyland. “Udhëheqja strategjike, jo reagime emocionale, është e nevojshme për të siguruar të ardhmen evropiane të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shtuar më tej ajo.

Gjatë ditës, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, ka deklaruar se taksa e Kosovës 100 për qind për mallrat e Serbisë e të Bosnjë e Hercegovinës është diskriminuese, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se ajo që vlen për qytetarët shqiptarë në Kosovë, duhet të vlejë për pjesëtarët e bashkësive të tjera etnike.

“Besoj se Kosova duhet të jetë shtet multietnik e demokratik”, ka thënë ai.

SHKARKO APP