Ambasada e SHBA-së: Dhuna po pengon zhvillimin e Kosovës

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në një deklaratë  “inkurajon qeverinë, partitë e opozitës, dhe qytetarët, të tregojnë përkushtimin e tyre të përbashkët për të ardhmen e Kosovës duke siguruar që protestat e planifikuara do të zhvillohen në mënyrë paqësore”.

“Qytetarët kanë të drejtë t’ia shprehin ankesat e tyre qeverisë dhe qeveria ka detyrim  t’i dëgjojë dhe t’iu përgjigjet”, thuhet në deklaratë.

Më tej  deklarata vijon se, “zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, migrimi ilegal, sundimi i ligjit, korrupsioni, dhe marrëdhëniet rajonale dhe etnike, janë sfida serioze dhe të ndërlikuara të cilat kërkojnë angazhim të gjerë dhe përpjekje në gjithë Kosovën – duke përfshirë institucionet, opozitën, shoqërinë civile, dhe mediumet”.

“Dhuna pengon zhvillimin e Kosovës dhe shërben për të tërhequr vëmendjen nga çështjet kritike me të cilat përballet vendi. Sjellja konstruktive dhe e padhunshme në institucione dhe në rrugë është e vetmja mënyrë që Kosova të përparojë”, përfundon deklarata e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

SHKARKO APP