Ambasada në Prishtinë hap librin e ngushëllimeve
Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë hapi librin e ngushëllimeve në shenjë nderimi dhe solidariteti për viktimat nga tërmeti i të martës në Shqipëri. Ndër të parët që kanë lënë ngushëllimet e tyre në këtë libër, ishin kryetari i i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, ai i Çekisë por edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe qytetarë. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, falënderoi të gjithë për solidaritetin e treguar. Ai tha po ashtu se është vendosur që Forca e Sigurisë së Kosovës të jenë institucioni kryesor që do të merret me menaxhimin e të gjitha ndihmave që do të drejtohen nga Kosova për në Shqipëri.
“Për të rakorduar sa më mirë dërgimin e ndihmave në Shqipëri në konsultë edhe me kryeministrin Haradinaj në orët e paradites, është rënë dakord që Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë institucioni kryesor që do të merret me menaxhimin e të gjitha ndihmave qe do të drejtohen nga Kosova për në Shqipëri. Kjo do të thotë që do të krijohet një qendër te kazerma ushtarake ‘Skënderbeu’ në Prizren, ku ne do t’i drejtojmë të gjitha ndihmat e institucioneve, komunave, të personave të veçantë për t’i grumbulluar aty dhe më pas për t’i drejtuar drejt territorit të Shqipërisë”, shprehet Minxhozi.
Libri i ngushëllimeve për viktimat e tërmetit në Shqipëri do të qëndrojë i hapur për gjatë dy ditëve në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë.