Ambasadorët në Kosovë thirrje për qetësi: KQZ-ja të kujdeset që të mos ketë ndërhyrje politike në procesin zgjedhor

Vendet e Quint-it kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë kërkuar që të gjitha palët e përfshira në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, t’i ndjekin rrugët ligjore për apelimin e vendimeve të fundit të marra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sa i përket certifikimit të kandidatëve për deputetë.

“U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative”, thuhet në deklaratën e shefave të misioneve të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë në Kosovë.

Ambasadorët e Quint-it kanë thënë se të hënën janë takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, dhe se në këtë takim kanë shprehur planet e tyre për të monitoruar zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ndërsa pandemia ka krijuar sfida shtesë, jemi të sigurt në aftësinë e KQZ-së për t’i mbikëqyrur zgjedhjet”, thuhet në deklaratën e vendeve të Quint-it.
“E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike”, thuhet në deklaratë.

Ky reagim i Quint-it vjen disa ditë pasi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk janë certifikuar listat e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Të gjitha këto parti kanë njoftuar se e kanë apeluar këtë vendim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Është thënë se këto parti kanë pasur në listat e tyre kandidatë që bien ndesh me nenin 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, i cili ua ndalon pjesëmarrjen në zgjedhje personave, të cilët kanë një dënim të formës së prerë nga gjykatat e Kosovës në tre vjetët e fundit.

Kjo ndalesë është theksuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar, kur është trajtuar lënda ndaj ish-deputetit Etem Arifi.

Javën e kaluar, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka deklaruar në një konferencë për media se ndaj saj po bëhen kërcënime nga partitë politike, por ajo nuk ka treguar se për cilat parti bëhet fjalë.

Megjithatë, Daka ka thënë se ajo do ta respektojë Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit vijnë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 21 dhjetor, 2020, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi për të ka votuar Etem Arifi.

Në kohën kur ka votuar, Arifi ka pasur një dënim të formës së prerë, prej një viti e tre muajsh, për veprën penale: mashtrim me subvencione.

SHKARKO APP