Ambasadori i Kosovës: Jemi para Shqipërisë në futboll, muzikë dhe zgjedhje

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, i ka cilësuar zgjedhjet e djeshme parlamentare si një ditë feste për Kosovën.

Gjatë një interviste për A2 CNN, Ukshini u shpreh se zgjedhjet në Kosovë ishin një shembull i mirë për të gjithë vendet në rajon. Ai deklaroi se procesi zgjedhor demokratik që u zhvillua dje ishte edhe një mesazh për Brukselin se Kosova është privuar padrejtësisht nga lëvizja e lirë dhe se duhet të jetë pjesë e BE.

“Dita e djeshme ka qenë një lloj feste dhe 100 mijë votues më shumë se zgjedhjet e kaluara treguan se njerëzit ishin shumë të interesuar për të dhënë votën e tyre. Edhe fushata ka qenë me një etikë politike që edhe për shumë vende të rajonit mund të jetë shembull. Për shkak të rrethanave ne jemi pjekur dhe para kohe. Në demokraci fitore është kur ka stabilitet dhe besueshmëri. Ky është një shembull për t’i thënë Brukselit se kosovarët padrejtësisht janë privuar nga lëvizja e lirë. Kosovarët kanë treguar se janë pjesë e Evropës”, tha Ukshini.

Me humor ambasadori shtoi se Kosova është para Shqipërisë në futboll, muzikë dhe organizim të proceseve zgjedhore.

“Në kuptimin e interesit kombëtar, mendoj që marrëdhëniet Kosovë Shqipëri do jenë në trendet që kanë qenë dhe do të ecin përpara. Dy orientime strategjike të tjera të Kosovës do të jenë Uashingtoni dhe Brukseli. Shqipëria është partner i natyrshëm, jemi një komb dhe kemi një gjuhë. Në futboll, muzikë dhe zgjedhje duhet ta pranojmë që ne jemi më përpara, ca gjëra duhet t’i pranojë dhe Shqipëria, kështu që disa gjëra duhet të marrim nga ju dhe ju nga ne. Është një simbiozë e natyrshme”, tha Ukshini.

SHKARKO APP