Ambasadori i SHBA: Nuk do të mbështesim gjithfarëlloj marrëveshjeje Kosovë – Serbi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka cilësuar vitin 2019 si vit të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se nuk ka ndonjë dallim të madh midis qasjes evropiane dhe asaj amerikane. Ne dëshirojmë që ky proces të ecë përpara sa më shpejt që është e mundur, por e kuptojmë se për këtë nevojitet kohë”, ka thënë Kosnett.

Ai ka thënë se Uashingtoni dëshiron të arrihet një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, por ka theksuar se, megjithatë, nuk do të mbështesë gjithfarë marrëveshjeje.

“Mendoj se nëse të dy qeveritë e gjejnë një zgjidhje të pranueshme për qytetarët e të dy vendeve, e cila do të arrinte objektivat tona – paqen, prosperitetin, drejtësinë në të dy vendet dhe në rajon – Shtetet e Bashkuara do ta mbështetin atë. Por, ne ‘nuk nënshkruajmë çek blanko’. Kjo do të thotë se ne nuk themi se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithçka për çka merren vesh këto qeveri dhe kjo është çështje e rëndësishme”, ka theksuar ambasadori Kosnett.

“Sa i përket çështjes së kufijve – korrigjimit të kufirit, shkëmbimit të territoreve – politika e Shteteve të Bashkuara ka qenë parimore se nuk kemi ndonjë zgjidhje të dëshiruar. Ne nuk po përpiqemi të tregojmë se si do të dukej marrëveshja midis Kosovës e Serbisë”, ka shtuar ai.

“Në qoftë se qeveritë, qytetarët e të dy vendeve, mund të arrijnë marrëveshje për çështje ekonomike, politike, të sigurisë, të arsimit, kulturës dhe për çështje të tjera të cilat i kanë ndarë, është shkëlqyeshëm, kurse në fund ne do të shohim se si duket kjo. Në interesin e Shteteve të Bashkuara është që të ketë paqe, prosperitet dhe drejtësi në Kosovë, në Serbi dhe në të gjitha vendet e rajonit”, ka theksuar ndër të tjera ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, përcjell Illyria.

SHKARKO APP