Ambasadori Petrit Malaj: Bëni kujdes, pajisuni me zinxhirë e goma dimërore për të hyrë në Kosovë
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj thotë se është e domosdoshme që automjetet të jenë të pajisura me goma dimri dhe zinxhirë, për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Sipas tij, mungesa e pajisjeve të duhura rrit rrezikun për aksidente dhe shpeshherë shkakton bllokime në rrugë, duke penguar edhe qarkullimin e mjeteve të tjera.
“Jemi në dimër dhe Kosova është e mbuluar nga bora. Shumë qytetarë nga Shqipëria vijnë këto ditë në Kosovë për punë, por sidomos për turizëm, për të shijuar bukurinë e peizazhit dimëror dhe për të skijuar në zonat malore të Kosovës. Bëni shumë mirë që zgjidhni Kosovën! Megjithatë, kjo është një thirrje dashamirëse për kujdes: Gjatë këtij sezoni është e domosdoshme që automjetet të jenë të pajisura me goma dimri dhe zinxhirë.
Shumë prej jush udhëtoni me familje apo në grupe dhe kurrsesi nuk duhet të rrezikoni. Rreziku nuk është vetëm për veten dhe familjet tuaja, por edhe për të tjerët që qarkullojnë në rrugë. Shpeshherë, për shkak të mungesës së pajisjeve të duhura, mbetja në rrugë pengon edhe qarkullimin e të tjerëve.
Prandaj, bëni kujdes, planifikoni udhëtimin me përgjegjësi dhe shijoni Kosovën në mënyrë të sigurt. Mirë se vini dhe udhëtim të mbarë!”, ka shkruar ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

KOHA JONË SONDAZH

