Ambasadori rus: Do përfshihemi në bisedimet Kosovë-Serbi

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko nuk beson se ekziston një zgjidhje e shpejtë për çështjen e Kosovës, “përveç nëse bëhet fjalë për diçka që nuk është e pranueshme për Beogradin, si njohja e pavarësisë së Kosovës”.

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, ka thënë se  Moska do të përfshihet në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë nëse ftohet nga Beogradi. Ambasadori ka theksuar gjithashtu se një marrëveshje e mundshme nuk do të merrej në konsideratë pa Rusinë dhe aprovimin e Këshillit të Sigurimit.

“Më shqetëson dëshira për zgjidhje të shpejtë. Kjo duket e ngjashme me caktimin e afateve kohore që ishin arsyeja pse bisedimet e kaluara për Kosovën nuk kanë qenë të suksesshme. Mendoj për bisedimet e Ahtisarit dhe treshes së negociatave”, deklaroi ai.

Kharchenko është pyetur për qëndrimin e SHBA-së që në afat të shkurtër kohor të arrihet një zgjidhje për raportet mes Beogradit dhe Prishtinës. Ai ka theksuar se Rusia gjithmonë ka qenë në mbështetje të vazhdimit të bisedimeve por “nëse do të kishim më tepër kohë, do të arrihej të shkohej përpara dhe të arrihej kompromis”.

Kharchenko ka theksuar se është e nevojshme që të përmbushet urgjentisht kërkesa e Beogradit për heqjen e taksës nga Kosova për mallrat nga Serbia. Ndërsa lidhur me kërkesën e SHBA që Serbia të ndalojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës së pavarur, ambasadori rus ka thënë se qëndrimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç është “plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” dhe se nuk ka lidhje midis taksës së vënë nga Prishtina dhe lobimit të Beogradit për tërheqjen e njohjeve. Ai ka shtuar se Moska do të përfshihet në bisedime nëse ftohet nga Beogradi dhe ka theksuar se “marrëveshja nuk merret në konsideratë pa Rusinë dhe aprovimin e Këshillit të Sigurimit”.

“Përderisa nuk ka kompromis, Rezoluta 1244 është aty. Dejtoni mund të themi se solli rezultat në negociata. Të gjata, intensive dhe në heshtje. Për këtë arsye them se është jashtë realitetit të arrihet një zgjidhje e shpejtë dhe e mirë për Kosovën”, ka thënë Kharchenko i cili insiston se bisedimet e plota duhet të kthehen në themelet e Rezolutës 1244.

I pyetur se si e sheh marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës për krijimin e një lidhje ajrore dhe hekurudhore, Kharchenko ka thënë se kjo i përshtatet rajonit, por beson se është e vështirë të mendohet se fluturimet do të realizohen brenda natës. Megjithatë, ai beson se çdo hap në atë drejtim është i mirë.

“Ne kemi biseduar shumë herë dhe mundohemi të formojmë lidhje në terren sepse ato janë më të mira për njerëzit, për shkëmbim tregtar. Ato forcojnë besimin e ky është drejtimi i duhur për tek bisedimet dhe kompromisi”, ka thënë ai.

SHKARKO APP