Ambasadorja e Kosovës, sherr me Daçiç në OKB
Debat të ashpër mësohet se kanë zhvilluar ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku dhe ministri të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daciç, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Kështu, në fjalën e tij, Daciç iu referua Kosovës me “Kosovë e Metohi” dhe Çitakut, si përfaqësuese e “institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe Metohisë”.
Ai foli më tej për serbët në Kosovë duke thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është institucion për realizmin e të drejtave themel9ore të serbëve të Kosovës.
Daciç tha edhe se formimi sa më i shpejtë i Asociacionit siguron zbatimin e marrëveshjes së arritur mes të dy palëve.
I ashpër tingëlloi kur iu kundërpërgjigj ambasadores Çitaku, e cila i rikujtoi atij se Kosova është shtet i pavarur.
“Kosova nuk është e shqiptarëve. As e jotja, as e imja. Është e qytetarëve që jetojnë atje, e aty ka serbë dhe shqiptarë. Ju keni një vend të shqiptarëve që quhet Shqipëri”, tha Daçiç.
Sipas tij, Kosova nuk është e pavarur, sepse po të ishte e tillë, nuk do të nënshkruante marrëveshjen për MSA-në si territor, por si vend. Ai madje falënderoi edhe të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Ndërsa ambasadorja Vlora Çitaku tha se Kosova do të bëjë çdo gjë që të ketë flamurin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Ajo tha gjithashtu se vendi i saj është i gatshëm të ballafaqohet me të kaluarën dhe sugjeroi që njësoj të veprojë edhe Serbia.
“Do të zbatojmë marrëveshjet në Bruksel por jo në dëm të funksionaliteti të shtetit tonë. Ne jemi për pajtim. Por pajtimi nuk mund të ndërtohet në mohim. Ai mund të ndërtohet nëse ne shikojmë përpara dhe shikojmë të kaluarën pa frikë, edhe pse për disa ky shikim mund të jetë i turpshëm”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka kujtuar edhe luftën e terrorin në Kosovë gjatë luftës. Ajo përmendi edhe viktimat e dhunës seksuale, për të cilat kërkoi drejtësi.
“Në emër te të gjitha prej tyre, unë kërkoj drejtësi. Ne duhet të shohim autorët pas hekurave dhe ne kemi nevojë që mënyrë kolektive e globale të bëjmë më shumë, në mënyrë që viktimat e dhuna seksuale gjatë luftës, por edhe kudo në botë të ndjehen të mbështetura dhe jo vetëm”, ka thënë ajo.