Ambasadorja flet për mos njohjen nga Xhamajka

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka thyer heshtjen, disa ditë pas skandalit me njohjen e vendit nga Xhamajka.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte raportuar i pari, nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij, në rrjetin social Twitter, se ishte informuar nga Çitaku se Kosova ka siguruar njohjen nga shteti ishullor.

Por, pak orë më vonë, Xhamajka ka mohuar se ka vendosur për njohje, duke e turpëruar Kosovën. Reagimet në vend kanë qenë të menjëhershme, në veçanti kundër ambasadores Çitaku, teksa kërkohej shkarkimi i saj.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e saj, në rrjetin social Facebook, në natën e së shtunës, Çitaku ka thënë se “çdo gjë do të sqarohet me kohë”.

“Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje”, është shprehur ajo.

Çitaku ka kritikuar zëvendëskryeministrin e vendit, Haki Abazi, pas kritikave ndaj saj, duke i thënë se nuk “nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale”.

SHKARKO APP