Analistët: “Kurti nuk do të mandatohet për kryeministër”
Albin Kurti i cili po synon udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, po tenton që të “blej” kohë edhe më tutje para mandatimit për kryeministër, në mënyrë që të arrijë marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. E kjo e fundit nuk i ka ende emrat e ministrave dhe zëvendësministrave, në rast të një koalicioni. Kështu thonë analistë politikë, të cilët po e shohin takimin e nesërm të kryesisë së LDK-së, si përpjekje e fundit që të arrihet një kompromis me Lëvizjen Vetëvendosje.
Lidhja Demokratike e Kosovës nesër do të mbaj dy mbledhje të rëndësishme, atë të kryesisë dhe të grupit parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e LDK-së për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me LVV-në.
Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija për KosovaPress, thotë se brenda kësaj kryesie janë shtuar zërat e mos-besueshmërisë ndaj partisë që udhëheq Albin Kurti. Mediat kanë raportuar se LVV tanimë i ka bërë një ofertë LDK-së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK-së që t’i merr gjashtë ministri, nga katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkohë, nesër do të zhvillohet edhe një takim tjetër konsultativ në mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të VV-së, Albin Kurti. Në lidhje me këtë, Alija thotë se Kurti po tenton që të “blej” kohë në mënyrë që në anën tjetër të arrihet një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pa një marrëveshje me LDK-në, sipas tij, do të ishte e kotë edhe fillimi i rrjedhjes së afatit ligjor.
E sipas analistit politik Ramush Tahiri, Albin Kurti si lider i partisë që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, e ka për obligim që me shkrim ta njoftojë presidentin se kush është kandidat i kësaj partie për kryeministër. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të ndodhë nesër. Sipas tij, LDK do të caktojë kandidatët që do të bëjë ministra, e po ashtu edhe përfaqësuesit e komisioneve parlamentare.
Para zhvillimit të takimit, i cili do të mbahet më 6 janar nga ora 15:00, presidenti Thaçi ka thënë se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje mes partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe partnerit qeverisës.
/KosovaPress/