Analisti rus: Kosova, pjesë e mburojës raketore
Shtetet e Bashkuara kanë plane të mëdha për Ballkanin, thotë analisti politik rus dhe anëtari i Akademisë së Shkencave të Rusisë, Petr Iskenderov.
Në një deklaratë për Radio Sputnik, Iskenderov thotë se këto plane nuk përfshijnë vetëm praninë politike, por edhe ushtarake në pjesë të caktuara të Ballkanit.
Iskenderov beson se Kosova do të bëhet pjesë e një mburojë raketore të cilën Amerika do ta vendoste në Evropë.
Sipas Sputnik, “NATO ka pranuar së fundmi anëtarësimin e Malit të Zi si anëtar 29-të të Aleancës, në një kohë kur aleanca po bëhet më aktive në pjesët e saj lindore dhe jugore, duke iu referuar një kërcënimi jo-ekzistent të Rusisë”, duke shtuar se “nëse Shtetet e Bashkuara zbatojnë planet e saja në Kosovë, kjo nuk duhet të jetë një surprizë”.
Nëse kjo ndodh, Kosova mund të bëhet një nga nyjet më të rëndësishme të mburojës raketore që Washington ndërton në Evropë, gjë të cilën në Moskë e konsiderojnë si një kërcënim për sigurinë.
Kohët e fundit, një strukturë e sistemit të raketave amerikane të mbrojtjes në Rumani është bërë operacionale, ndërsa në vitin 2018 e njëjta pjesë e mburojës raketore duhet të aktivizohet në Poloni.
“Washington gjithashtu dëshiron që këtë zonë ta kthejë në trampolinë për të zhvilluar infrastrukturën e saj ushtarake në rajon. Për shembull, Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sistemin e saj të mbrojtjes së radarëve ose raketave atje”, ka shpjeguar më tej Iskendirov.
Ai ka folur edhe për rolin e rritjes së radikalizmit islamik në Kosovë, duke i parë si çështje të ndërlidhura ndërmjet tyre.