Analiza/ Efekti Trump në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan
Çfarë presin vendet e Ballkanit nga administrata Trump? Nacionalistët serbë shpresojnë se me afrimin mes Moskës dhe Washingtonit do vijë koha e kthimit të Serbisë në Kosovë. Shqiptarët në rajon duan të mbesin adhuruesit më të mëdhenj të Amerikës – edhe nën qeverisjen e Trump. Presidenti bullgar tregon mirëkuptim për Trumpin, ndërsa ish-presidenti është i shqetësuar, ndërsa në Bukuresht disa frikësohen se presidenti i ri amerikan do t’ia falë Rusisë Rumaninë, një analist rumun në Amerikë thotë: «Presidenti i SHBA-së nuk është Neville Chamberlain, i cili në mënyrë naive do të lëshojë pe për ndonjë Hitler të ditëve tona. Kjo nuk do të ndodhë kurrë»
Shumica në Ballkan kanë ndjekur me interes të madh inaugurimin e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të premten. Lindja e epokës së Donald Trump sjell shpresa të mëdha dhe shqetësime edhe më të mëdha në një rajon që aktualisht është i mbërthyer nga tensionet politike dhe etnike. Shtetet e Bashkuara luajtën një rol kyç dhe bënë njëkohësisht miq edhe armiq në Ballkanin e viteve ’90, kur drejtuan sulmet e NATO-s në pozicionet serbe në Bosnjë, Kosovë dhe brenda Serbisë, të cilat sollën paqe në Bosnjë dhe paqe e pavarësi në Kosovë. Gjithashtu janë përfshirë ngushtësisht në zgjidhjen e tensioneve etnike dhe politike në Maqedoni, ndërsa kanë përqafuar Shqipërinë, Kroacinë dhe së fundi Malin e Zi si partnerë strategjikë në NATO. Megjithatë, fuqizimi gradual i rolit të Rusisë në skenën rajonale e globale si dhe tensionet e shtuara mes dy fuqive të mëdha kanë ndarë vendet e Ballkanit përgjatë linjës Lindje-Perëndim.
Pështjellime shtesë u krijuan nga deklaratat e ndryshme dhe shpesh kontradiktore të bëra nga Trump në fushatën e tij elektorale, por edhe së fundmi nga vendimet e minutës së fundit të administratës në ikje të Shteteve të Bashkuara. Ndërsa të gjitha vendet e Ballkanit dëshirojnë të qëndrojnë në «anën e mirë» të Trumpit, asnjë nuk është i sigurt se ku mund të jetë kjo anë. Si rezultat, Ballkani është i ndarë në fillim të epokës Trump; disa presin që pavarësisht deklaratave të shkuara, Trump do t’u qëndrojë politikave kyçe dhe sjelljeve të administratës në ikje. Të tjerë shpresojnë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përmirësojë lidhjet e prishura me Rusinë dhe kështu të qetësojnë tensionet brenda vendeve të tyre.
Shumë mund të dëshirojnë që Trump të rivendosë një përfshirje më të fortë të Amerikës në Ballkan, ndërsa dyshojnë se presidenti i ri mund të shqetësohet pak për Ballkanin. «Unë nuk pres shumë pasi Ballkani Perëndimor nuk është mes interesave të tij kryesore, por shpresoj që situata e përgjithshme këtu të bëhet më e shtendosur», tha për BIRN Sërgjani, një student 22 vjeçar nga Banjalluka. Eric Gordy, profesor i politikave të Europës Juglindore në universitetin College London ka një opinion të ngjashëm. «Problemi me Trumpin është se jo vetëm nuk di asgjë apo s’ka asnjë politikë, por është gjithashtu e paqartë se sa influencë do të ketë ai brenda administratës së vet», i tha ai BIRN-it.
Shqipëria dhe Kosova duan të mbesin miqtë më të mirë të Amerikës
Si shumica e shqiptarëve, edhe ish-diplomati Shaban Murati beson se Shqipëria do të mbetet partneri strategjik i Amerikës në Ballkan, edhe nën administratën e Trumpit. «Shqipëria nuk mund të shkojë askund në pikëpamjet e veta strategjike përveçse te Amerika. Unë besoj gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të ngushtë dhe të më të sigurt në rajon sesa Shqipërinë», i tha Murati BIRN-it. Ish-diplomati beson se Ballkani do të mbetet një «fushë loje» mes Lindjes dhe Perëndimit për fuqitë e jashtme dhe Shqipëria, si rezultat do të mbetet një partner strategjik i rëndësishëm si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për NATO-n.
Opozita shqiptare gjithashtu beson se marrëdhëniet mes dy vendeve do të mbeten të forta, ndonëse lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje në çështjet e brendshme politike të Amerikës, kur ai mbështeti kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton. «Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë strategjike dhe të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Detyra jonë është forcimi i këtyre marrëdhënieve, pasi ka të bëjë me integritetin tonë, orientimin tonë euroatlantik dhe sigurinë tonë kombëtare», tha Basha më 13 janar. Shqiptarët e Kosovës besojnë gjithashtu të jenë miqtë më të mirë të Amerikës në Ballkan. Ky ishte mesazhi që Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në Amerikë, i transmetoi Trumpit gjatë takimit të shkurtër të mërkurën në një darkë që Komiteti i Inaugurimit organizoi për trupin diplomatik.
«Pata mundësinë të flisja shkurt me presidentin e zgjedhur, Donald Trump, Sekretarin e nominuar të Shtetit, Tillerson dhe këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Flynn. U thashë atyre se jam ambasadorja krenare e vendit më pro-amerikan në faqe të botës», shkroi Çitaku në Facebook. Devotshmëria e Kosovës për Shtetet e Bashkuara është e kuptueshme, falë rolit të tyre kyç në pavarësinë e Kosovës. Kjo mbështetje është pjesë e trashëgimisë në Ballkan të administratës së Bill Clinton, e cila u vazhdua gjatë mandatit të Obamës. Tani, liderët e Kosovës i frikësohen një kthese të mundshme të administratës amerikane, veçanërisht nëse lëviz më afër Rusisë – prej së cilës do të përfitonte Serbia në dëm të Kosovës.
Pavarësisht devotshmërisë së Kosovës ndaj trashëgimisë Clinton, presidenti Hashim Thaçi përgëzoi Trump pas fitores së zgjedhjeve. «Miqësia e përjetshme mes vendeve dhe njerëzve tanë është themeli mbi të cilin do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin dypalësh», tha Thaçi. Së fundmi ai deklaroi se gjatë javëve të fundit ka takuar zyrtarë amerikanë, të cilët pritet të përfshihen në çështjet europiane dhe ato të Ballkanit. Më 11 janar, Thaçi ishte ftuar gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i deritanishëm, Joseph Biden, ku u konfirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën. Sërish, Kosova është ende e paqartë nëse Trump do të ndjekë këtë linjë.
Bosnja: e shqetësuar nga riafrimi SHBA-Rusi
Zgjedhja e Trump rrapëlliu Bosnjë-Hercegovinën, ndërsa mund të ndryshojë pikëpamjet dhe marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara. Pas përfshirjes amerikane për vendosjen e paqes në Bosnjë në vitet ’90, myslimanët e Bosnjës u bënë mbështetës të palëkundur të trashëgimisë së Bill Clinton, si dhe të Barack Obamës dhe kandidates demokrate Hillary Clinton.
Për këtë arsye, boshnjakët mbajtën një manifestim në mbështetje të Clinton, vetëm pak javë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Mirsad Kebo, ish-zëvendëspresident i Federatës së Bosnjës, i cili mori pjesë në këtë ngjarje i tha BIRN se ai ishte sërish kundër Trump, duke e akuzuar atë se ka për qëllim «absolutizmin, diktaturën dhe tiraninë». Boshnjakët janë gjithashtu të shqetësuar për sinjalet e Trump për një riafrim të mundshëm me Rusinë, aleatin historik të serbëve në Ballkan. Situata është e kundërt në rajonin e dominuar nga serbët e Bosnjës, në Republikën Srpska. Bombardimet e NATO-s në pozicionet e serbëve të Bosnjës në vitin 1995 mund t’i kenë dhënë fund luftës trevjeçare në vend, por lanë pas një ndjenjë të fortë mosbesimi mes shumicës së serbëve ndaj Amerikës. Falë fjalëve të Trump për marrëdhënie të ngrohta me aleatin e vjetër, Rusinë, fitorja e Trump u duartrokit nga shumë serbë në mënyrë euforike.
Lëvizja serbe «Zgjedhja është e jona», një organizatë e njohur për pikëpamje nacionaliste serbe, vendosi një billbord gjigant me foto të Trump dhe Vladimir Putinit mbi një kamion, të shoqëruara me sloganin «Shpresë për drejtësi në botë – urime» dhe i ranë me të rreth e qark Banjallukës për ditë të tëra pas zgjedhjes së Trump. «Trump tregon vullnet për të ndryshuar pjesë të rëndësishme të politikës së jashtme të Amerikës, të tilla si sjellja e NATO-s ndaj Rusisë dhe kjo është e rëndësishme për komunitetin serb», i tha BIRN Obrad Kesiq, kreu i zyrës së Republikës së Serbëve të Bosnjës në Shtetet e Bashkuara. «Ne shpresojmë që Amerika do të ndalojë së qeni polici i botës», tha ai. «Ne shpresojmë që nga Shtetet e Bashkuara do të na vijë miqësia në të ardhmen, në vend të vend të bombave që serbët morën nga Bill Clinton», shtoi ai. Disa ekspertë në Perëndim janë të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara nën Trump do të zvogëlojnë përfshirjen në Bosnje.
Këshilli i Politikave Demokratizuese, një fabrikë mendimesh që promovon politikat e demokracisë liberale në demokracitë e reja, tha se presidenca Trump ka rritur shpresat e elitës politike serbe «për të ringjallur realizimin e agjendave nacionaliste të parealizuara». «Edhe nëse ato do të provohen si jorealiste, duke vazhduar të kultivojnë lidhjet me Moskën dhe lojën me një Perëndim të dobësuar, liderët politikë autoritarë në rajon do të provojnë fatin për të vazhduar politikat oligarke», tha Këshilli në një deklaratë.
Bullgaria: e ndarë mes Brukselit dhe Moskës
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, liderët e Bullgarisë kanë qenë relativisht të qetë sa i përket zgjedhjes së Trump, më së shumti për shkak të krizës politike brenda vendit, e krijuar nga rritja e ndasive mes forcave proruse dhe properëndimore. Inaugurimi i Trump përkon me ngjitjen në presidencë të prorusit Rumen Radev. I njohur si «Trumpi bullgar», ai u betua të enjten. Radev tingëlloi miqësor me Trump, kur i tha «France 24» më 13 janar se ai shpresonte që presidenti amerikan të vendoste «dialogun dhe besimin me Rusinë, që është shumë i rëndësishëm për ekzistencën e paqes në botë dhe veçanërisht në Europë». Ai e quajti Trumpin një «President që mendon për të ardhmen» dhe që «nuk është skllav i politikës së paragjykimit». Radev konfirmoi gjithashtu mbështetjen e tij për heqjen e sanksioneve të Perëndimit kundrejt Rusisë për shkak të Krimesë, duke shtuar se ai e konsideronte Krimenë «de fakto ruse». Megjithatë, duke nxjerrë në dritë ndasitë e thella Lindje-Perëndim brenda vendit, presidenti në ikje i Bullgarisë, Rosen Plevneliev iu bashkua 17 politikanëve dhe vendimarrësve europianë, të cilët nënshkruan një letër të hapur më 11 janar, duke i bërë thirrje Trump që të mos i zbusë marrëdhëniet me Moskën.
Letra i bënte thirrje Trump që të mos bënte marrëveshje me Putin për Ukrainën, pasi do të minonte besimin e aleatëve tek Amerika dhe do të demoralizonte vendet që po luftojnë për integrimin euro-atlantik. Plevneliev ka qenë një ndër të paktët kritikë të hapur të Trump në Bullgari. Të martën, ai tha se presidenti i ri mund ta bëjë ekonominë amerikane më të fuqishme, por ai nuk është një udhëheqës moral për njerëzit. «Trump është një simbol i rritjes së nacionalizmit, ai nuk beson në integrimin europian. Fatkeqësisht unë nuk besoj se ai e kupton atë», tha ai në një takim vjetor mes qeverisë dhe drejtuesve të biznesit.
Ognian Minçev, drejtor i Institutit për Studime Rajonale dhe Ndërkombëtare tha se Moska mund ta shohë Trump si politikan që do t’i jap leje për disa nisma, të cilat me siguri do të përfshinin edhe Ballkanin. «Ballkani Perëndimor do të ishte një zonë prioritare për aktivitetet subversive të Rusisë, të cilat mund të kenë një efekt të pashmangshëm për Bullgarinë», tha ai.
Kroacia: shpresë për marrëdhënie normale
Si vend anëtar i NATO-s, Kroacia ka lidhje të ngushta me SHBA-në dhe shpreson t’i ruajë këto marrëdhënie edhe me administratën e re. Presidentja Kolinda Grabar Kitaroviq, e cila më herët ka shërbyer si ambasadore e Kroacisë në SHBA si dhe ka punuar për NATO-n mes viteve 2008 dhe 2014, vizitoi SHBA-në më herët këtë muaj, vizitë gjatë së cilës ajo u takua me këshilltarë të Trump, por nuk tha se me cilët prej tyre. «Ne folëm për vijat e përgjithshme të politikës së jashtme të Trump, se si Kroacia mund të gjejë vendin e vet në të; mendimet tona mbi problemet aktuale në rajon dhe mbi marrëdhëniet me vendet fqinje dhe integrimin e tyre», tha ajo për median. Grabar Kitaroviq paralajmëroi se administrata Trump mund të mos e shohë Europën Juglindore apo Kroacinë si një prioritet për shkak se «këtu nuk ka luftëra apo trazira».
Analisti politik Dejan Joviq i tha BIRN se ai qe i «kujdesshëm» në vlerësimin e marrëdhënieve të ardhshme të Trump me Ballkanin për shkak se «politika e tij drejt vetë Europës nuk është tërësisht e qartë». Joviq shpjegoi se në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë ka «projeksione të ndryshme mbi atë se çfarë do të sjellë mandati i Trump». «Departamenti i Shtetit në administratën e re duket më i orientuar drejt biznesit dhe investimeve të mëdha në industrinë e naftës dhe në energji, në të cilat Ballkani nuk është fare në fokus», vëren ai.
Joviq shtoi se problemi kryesor i Ballkanit do të jetë evolucioni i mëtejshëm i marrëdhënieve jo vetëm mes SHBA-së dhe Rusisë por edhe me Turqinë. «Turqia ka pasur një pozicion relativisht pozitiv deri në shfaqjen e marrëdhënies së saj me Rusinë ndërkohë që është anëtar i NATO-s. Ky trekëndësh mes tyre mund të jetë një ofrues sigurie për Ballkanin edhe nëse BE-ja nuk zgjerohet më tutje në Ballkan», konkludoi ai.
Maqedonia: kampet kundërshtare shikojnë me shpresë te Trump
Pas fitores befasuese të Trump, partia plot telashe që qeveris Maqedoninë, VMRO DPMNE, e udhëhequr nga ish-kryeministri Nikola Gruevski, filloi të shprehë ankesa për atë që e sheh si mbështetje e SHBA-së për forcat e opozitës. Zyrtarët e VMRO DPMNE shpresojnë se presidenca e Trump do të sjellë një ndryshim të madh në politikën e SHBA-së ndaj Maqedonisë. Gjatë javëve të fundit ata kanë lavdëruar hapur Trump dhe në të njëjtën kohë kanë kritikuar administratën Obama në ikje si dhe organizatat joqeveritare të financuara nga miliarderi amerikan George Soros për atë që e quajnë komplot kundër Maqedonisë dhe qeverisë maqedonase. Dhjetëra maqedonas që jetojnë në New York u mblodhën para Kullës Trump më 16 janar për të shprehur mbështetjen e tyre për presidentin e ri. Ata lexuan një deklaratë, në të cilën bënë thirrje për ndërprerjen e asaj që e quajnë mbështetje të SHBA-së për organizatat e të majtës në Maqedoni, veçanërisht ata të financuar nga Soros.
Inaugurimi i Trump «do të jetë hapi i parë i dukshëm i një procesi të ndryshimit të politikës së jashtme të SHBA-së të ndjekur gjatë tetë viteve të fundit», shkroi kryeredaktori i agjencisë shtetërore të lajmeve MIA, Cvetin Cilimanov. Por vëzhgues të tjerë besojnë se entuziazmi mbi Trumpin në Maqedoni është një nxitës për moralin me objektiva në politikën e brendshme, me synimin e gjallërimit të mbështetësve të VMRO DPMNE në një kohë kur partia është përballur me skandale korrupsioni dhe në vështirësi për të krijuar një qeveri pas zgjedhjeve të fundit. «Ndërrimi i presidentit në SHBA nuk do ta ndërrojë politikën e jashtme amerikane brenda një nate. Veçanërisht sa i përket Maqedonisë, nuk pres asnjë ndryshim në thelb mes administratës Trump dhe paraardhësit të tij», komentoi profesori i shkencave politike Vangel Bitrakovski. «SHBA do të vijojë të këmbëngulë në reformat demokratike dhe nuk do të ndihmojë Gruevskin», shtoi ai.
Rumani: ankth në lidhje me të ardhmen e NATO-s
Rumania është një nga vendet e Europës Juglindore që ka shprehur shqetësim të madh nga rritja e pranisë së Rusisë. Kjo është reflektuar në thirrje të përsëritura nga Bukureshti për përforcim të mëtejshëm të krahut lindor të NATO-s. Për këto arsye, Rumania është e shqetësuar nga deklaratat e Trump që kanë vënë në pikëpyetje vlerat e NATO-s. Për rrjedhojë, politikanët rumunë përgjatë dy muajve të fundit janë përpjekur të bindin Partinë Republikane se Rumania është një aleat i besueshëm. Ambasadori i Bukureshtit në Washington, George Maior, ka takuar shumë kongresmenë republikanë dhe anëtarë të skuadrës së tranzicionit të Trump, përfshirë ish kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner si dhe Michael Flynn, këshilltarin e Trump për sigurinë kombëtare. «Angazhimi i Rumanisë në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut është dhe do të mbetet i fortë në përputhje me vizionin e administratës së re [të SHBA-ve] në lidhje me rritjen e burimeve për mbrojtjen nga ana e aleatëve europianë», tha Maior, duke premtuar se Rumania do të plotësojë kriterin e shpenzimeve të mbrojtjes në masën dy për qind të Bruto Prodhimit Vendor, siç ka kërkuar Trump nga vendet europiane. George Mioc, një komentator rumun që jeton në SHBA, tha se ai dyshon se frika e shprehur nga shumë vetë se Trump ka në plan «të shesë Rumaninë te Rusia», është e pabazë. «Si një rumun që jetoj në Teksas dhe që kam votuar për Trump, pasi e kam ndjekur evoluimin e tij politik nga afër, unë mund të them: presidenti i SHBA-së nuk është Neville Chamberlain, i cili në mënyrë naive do të lëshojë pe për ndonjë Hitler të ditëve tona. Kjo nuk do të ndodhë kurrë».
Serbi: euforia mes të djathtëve mund të jetë e ekzagjeruar
Tensionet e viteve të fundit mes Lindjes dhe Perëndimit kanë krijuar një ndasi të dukshme brenda Serbisë, mes atyre që kërkojnë më shumë lidhje me BE-në dhe SHBA-në dhe të tjerëve që priorizojnë lidhjet e vjetra historike me Rusinë. Boshko Obradoviq nga partia Dveri e krahut të djathtë, shpreson që Trump të sjellë vetëm mirë për Serbinë, duke ndryshuar politikën aktuale të SHBA-së, të cilën ai e sheh si antiserbe. «Ne shpresojmë që një politikë e re e jashtme e udhëhequr nga Trump do të ndryshojë qëndrim ndaj serbëve dhe që Serbia të bëhet aleati kryesor politik për SHBA-në», tha ai për BIRN. Obradoviq thotë se pozicioni i Serbisë në rajon do të përforcohet në rast se marrëdhëniet SHBA-Rusi përmirësohen. «Administrata e Putinit është dashamirëse ndaj serbëve dhe rrjedhimisht qetësimi i marrëdhënieve [ruse] me SHBA-në do të sjellë një revolucion të vërtetë në çështjet e rajonit», tha Obradoviq. Mosmarrëveshjet mbi ish-provincën e Kosovës – të cilat aktualisht trajtohen nga BE – do të rikthehen te Këshilli i Sigurisë së OKB-së dhe rrjedhimisht Kosova do t’i ribashkohet Serbisë, deklaroi ai me optimizëm.
Por Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike tha se euforia në rrethet e së djathtës bazohet te mungesa e aftësisë për të kuptuar realitetin e marrëdhënieve me jashtë. Nacionalistët serbë «besojnë se Trump do të kthejë pas rrotën e historisë dhe të thotë se serbët kishin të drejtë në vitet 1990, gjë që nuk ka për të ndodhur», tha ai. «Serbët besojnë se Trump do të mbështesë Putinin dhe Putini është heroi ynë, kështu që ne e duam edhe Trumpin», tha Janjiq për BIRN duke shtuar se e gjitha kjo është një keqkuptim. «E vërteta është se Trump është një president i fuqishëm, por jo mjaftueshëm i fuqishëm për të ndryshuar politikat [madhore]», vijoi ai. Ai pranon se ka mundësi që marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë të shtendosen, duke krijuar një situatë politike më të balancuar në Serbi, por konkludoi: «Do të ketë sërish krizë në Serbi, me apo pa Trump; pyetja është se sa larg do të shkojë puna dhe nëse ajo krizë do të përfundojë me zgjedhje apo me ndonjë gjë më të keqe, ndonjë konflikt të brendshëm».
Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm është dakord me këtë. Ai tha se pavarësisht euforisë mbi Trumpin në Serbi, Serbia ka gjasa të mbetet poshtë në listën e prioriteteve të agjendës së SHBA-ve dhe asgjë thelbësore nuk do të ndryshojë. «Nuk ka gjasa që Trump krejt papritur të ndryshojë politikën e SHBA-së në rajon», tha ai. «Unë gjithashtu nuk besoj se SHBA do të ndalojë së mbështeturi Kosovën, apo do t’ia kthejë Kosovën Serbisë», shtoi ai: «Kjo është jorealiste dhe nuk do të ndodhë».
(Botuar nga reporter.al)