Andi Bejtja: “Krejt dhe Drejt” për një orgazëm të lënë përgjysmë

Nga Andi Bejtja –

Disa dhjetëra, qindra shami të kuqe të lidhura në pemët e Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosja, rihapën një debat tejet të vonuar dhe për momentin të pavlerë: Kush është Albin Kurti?!

Kjo pyetje rierdhi në skenë, jo vetëm për fushatë nga kundërshtarët e tij politikë, por dhe për një arsye tjetër të thjeshtë:

Tashmë të gjithë e dimë brenda, dhe jashtë Kosovës se Albin Kurti jo vetëm do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, por edhe me një maxhorancë absolute qe edhe ai vetë do ta kishte zili 11 muaj më parë, kur u rrëzua në mënyrë aspak parimore nga një mocion mosbesimi nxitur nga krahu i djathtë i ish-Presidentit Trump, Richard Grenell, për një marrëveshje jo biletarele me Serbinë, të ashtuquajtur historike, por në fakt, më shumë për përfitim elektoral në Amerikë.

Shumëkush e ka të vështirë të shpjegojë realisht se si ka arritur këtë rritje kaq të madhe dhe në sondazhet më jo dashamirëse, një lider që ndenji aq pak muaj në pushtet pa patur mundësi ta tregojë plotësisht veten dhe që fundja fundit për një opinion kaq shumë pro amerikan si opinioni publik Kosovar, u rrëzua de Fakto nga Amerika e tyre e dashur.

Madje në një fare mënyrë me deklaratat e tij se ‘nuk ka ndërmend të shtrihet nën këmbët e Grenell’, i bëri dhe ‘karshillëk’ nënës Amerikë.

Kosovarët nuk u gdhinë brenda një dite as Antiamerikanë, as Antiimperialistë as Markisitë, as Leninistë, as Islamistë, siç janë munduar e po mundohen ta skicojnë Albin Kurtin dëshpërimisht kundërshtarët e pushtetit të vjetër dhe propaganda e tyre.

Kosovarët janë ata që kanë qenë, vetëm se tashmë duket se edhe pse aq pak muaj në pushtet, e njohën Albin Kurtin më mirë nga të gjithë ata që duke u munduar me vite të tëra për ta penguar me mjete të pandershme për të ardhur në pushtet po ja fusin gjithë tortën në gojë bashkë me qershi brenda.

Psikologjikisht për Kosovarët, me të gjitha këto që ndodhën, Albin Kurti është një orgazëm e lënë përgjysmë dhe kjo është një ndjesi e fortë, për të shkuar ‘Krejt dhe Drejt’ në ditën e Shën Valentinit më 14 shkurt.

Ndërsa duke lënë mënjanë psikologjinë, 14 Shkurti i 2021 është fitorja ‘E dy dhoma e një kuzhinë’. Albin Kurti ndryshe nga shumë liderë shqiptarë dhe jo vetëm, jeton në 61 metra katrorë dhe siç është shprehur dhe vetë e vetmja sipërfaqe shtesë që mund t’i duhet është për të sistemuar bibliotekën që i rritet për ditë.

Ka patur analistë ndërkombëtarë që për nga formimi dhe idetë e kanë krahasuar Albin Kurtin me Aleksis Cipras për shumë arsye dhe për faktin e thjeshtë që të dy nuk vinin kollare. Por Albini nuk është as Cipras. Ai tashmë ka filluar të vërë dhe kollare dhe kur është ballafaquar me ketë krahasim është shprehur ‘se nuk do e bënte atë gabim që bëri Cipras, duke u i harxhuar energjitë më shumë në luftëra me Merkel dhe ndërkombëtarët, se sa brenda Greqisë me Oligarkinë’.

Ky nuk është një ndryshim i vogël dhe në këtë hajdutëri, batërdi koncesionesh e PPP-sh që po kalojnë shqiptarët në dy anët e kufirit, mbetet akoma aktual dhe në fuqi fjalimi i Sekretarit të Shtetit John Kerry në shkurt të vitit 2014 kur u shpreh:

‘Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare’,

I majtë, i djathtë apo i qendrës, Cipras ose jo Albin Kurti do të jetë një digë për Oligarkinë dhe ky është një lajm I mirë në të dyja anët e kufirit.

PO: Albin Kurti është i majtë, në formim, në mendim dhe në mënyrë jetese, por shqiptarëve në dyja anët e kufirit nuk i vjen e keqja nga kjo lloj e majte, që në dikursin e vet politik ka në themel luftën kundra oligarkisë, kapjes së shtetit nga 4 5 duar, shkatërrimit dhe vjedhjeve të resurseve e burimeve natyrore.

Përkundrazi, një e majtë e tillë, mund të jetë e domosdoshme qoftë dhe për një periudhë të caktuar, në vende të tilla si Kosova dhe sidomos si Shqipëria, ku dhe varrezat dhe fasadat e shkollave po jepen me koncesion e PPP.

Në Kosovë, fatmirësisht po fiton modeli i kundërt i këtij shteti oligarkësh e PPP-sh që ngriti Edi Rama, ndaj pavarësisht paragjykimeve dhe frikërave më të sinqerta ndaj Albin Kurti, 14 Shkurti do jetë një lajm I mirë dhe për 25 Prillin.

Ndaj, Kosovarë, më 14 Shkurt 2021 në ditën e Shën Valentinit ‘Krejt dhe Drejt’ që në mëngjes në kutinë e votimit dhe pastaj po deshët dhe ‘Krejt dhe Drejt’ në krevat në darkë. Mos e lini Albinin një orgazëm të lënë përgjysmë.

SHKARKO APP