Andi Bushati: Pse duhet votuar masivisht VV

Nga Andi Bushati –

Sot do doja të isha shqiptar i Kosovës për të votuar për Vetëvendosjen. Si shumëkush këtej nga ne, në anën tjetër të kombit, që e ka provuar mbi shpinë frustrimin e të mos shkuarit në zgjedhje, për shkakun e thjeshtë se preferenca jote nuk ka vlerë për të prodhuar ndryshim, unë e shoh me zili mundësinë që ka çdo kosovar për të bërë histori këtë 14 shkurt. Sepse ata që do të shkojnë përpara kutive të votimit këtë të dielë, kanë shancin e madh të një zgjedhjeje të tre fishtë. Ata kanë në dorë njëkohësisht një votë ndëshkuese, një votë inteligjente dhe një votë shprese.

Le ta shohim me vëmendje këtë trekëndësh të papërsëritshëm që ofron këtë herë përzgjedhja e listës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Përkrahja pro tyre është së pari një ndëshkim për kastën e vjetër që e rënoi këtë vend në gjendjen ku është sot. Ajo është një përpjekje për t’i dhënë fund shtetit të kapur, përfitimeve të një pakice financiare nga pasuria publike, emërimeve në administratë sipas modelit të “klanit pronto”. Ajo përbën një sfidë për t’i nxjerrë nga loja parti si ato që çlirimtarët i shndërruan në zaptues, që rugovistët i përdhosën si servilë dhe gjakun e derdhur në rrafshin e Dukagjinit e përdorën si liçencë për të vënë gjoba.

Së dyti, kjo përkrahje është edhe një zgjidhje inteligjente. Sepse së paku prej vitit 2017, partitë e vjetra kanë bërë të gjitha akrobacitë e mundshme për ta penguar Vetëvendosjen. Fillimisht ato gatuan një koalicion të sforcuar për të mos e lënë të dilte e para. Dy vjet më pas, ndonëse mori mandatin e popullit në 6 tetor, ndonëse krijoi një qeveri që rridhte nga klithma për ndryshim, sërisht e gjithë kasta u bë bashkë për ta rrëzuar. Nuk e lanë të gëzonte as dy muaj legjitimitetin popullor dhe organizuan një puç që pataksi shumëkënd anembanë globit.

Tani, së fundi, shpikën një arsyetim ligjor për t’i penguar Albin Kurtit kandidimin dhe për ta përdorur nesër si alibi, se ai që nuk mund të zgjidhet deputet, nuk ka moral as për të qenë kryeministër.

Të gjitha këto përpëlitje të viteve të fundit kanë pasur në thelb një qëllim: t’i shndërronin votimet në një farsë demokracie, të mos lejonin ushtrimin e vullnetit sovran të njerëzve, të ruanin status quo-në dhe të kthenin në të pa imagjinueshëm çdo lloj ndryshimi. Prandaj vota e kësaj të diele, aq sa është një votë që buron nga protesta, po aq është edhe fryt mënçurie. Ajo duhet të jetë zgjimi inteligjent i një shumice që nuk pranon ta lërë të ardhmen e saj peng, vetëm në disa duar.

Por, për të mbërritur këtu, duhet kapërcyer një cak. Për të prodhur ndryshimin kërkohet një mobilizim plebishitar në mënyrë që lista Kurti- Osmani, të mos varet nga askush në parlamentin e ardhshëm.

Kjo hipotezë që në pamje të parë duket e frikshme (pra një votë që për herë të parë në historinë e Kosovës do të kalonte pushtetin tek një forcë e vetme, duke ngjallur fantazmat e një pushteti autoritar), është në fakt e kundërta e saj. Ajo është mbi të gjitha një votë shprese.

Natyrisht, të gjithë i kemi dëgjuar këmbanat e rreme që duan të na friksojnë me ngjalljen e një diktatori të ardhshëm, me shfaqen e versionit kosovar të Hugo Chavezit apo Evo Moralesit.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se në një rajon si i yni, zë kollaj rrënjë fara e autokratëve të rinj.

Të tërë jemi kalamendur sa e sa herë mes dilemës për të zgjedhur kaosin e padrejtësinë, përpara kufizimit të lirive dhe shtypjes personale që vjen nga lart.

Por, këtë herë, nuk janë aspak këto dilemat që shtrohen përpara zgjedhësve kosovarë.

Ankthi ndaj një autokrati imagjinar është një prodhim i fantazisë së atyre që i friksohen ndryshimit. Ai është i vetmi argument që u ka mbetur për të ruajtur gjendjen aktuale dhe statusin e të privilegjuarit në shoqëri. Shprehja e kësaj kategorie “Albini do kontroll”, është në fakt alibia për ta pamundësuar përsëri transformimin.

Së paku dy palë zgjedhje me radhë na kanë shërbyer për të kuptuar se e reja nuk ndërtohet dot mbi patericat e botës së vjetër. Se si, herët apo vonë, përfaqësuesit e së djeshmes, sado armiq të dukeshin në sipërfaqe, bëheshin gjithmonë bashkë për të ruajtur të njëjtën kënetë lidhjesh, pazaresh, përfitimesh, klientësh, nga e cila e kishin të pamundur të ndaheshin.

Pra, çdo përpjekje për ta kontrolluar ndryshimin është në thelb kamuflimi i dëshirës për ta vrarë atë. Atë që predikojnë frenimin e Albinit në të ardhmen, duan në fakt të garantojnë të shkuarën e tyre.

Pikërisht për këtë, vota plebishitare pro Vetëvendosjes është arma e vetme e zgjedhësve të 14 shkurtit për ta flakur tej këtë manovër të fundit të kastës së vjetër. Dhe për këtë shkak, ajo ka mundësi që të shndërrohet në një votë shprese.

Kjo është dhe arsyeja kryesore që, personalisht, do të kisha dashur të isha një mes qindra mijëra emrave të listave zgjedhore në Kosovë. Sepse vetëm kush e ka provuar frustrimin e përsëritur përballë zgjedhjeve që nuk pjellin ndryshim, di ta vlerësojë si duhet rastin e artë të një vote që ngjall shpresë.Lapsi.al

SHKARKO APP