Anglezi që luftoi për UÇK-në merr certifikatë veterani lufte
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dha një certifikatë veterani lufte për Jonathan Harrison, një ish-ushtarak britanik që iu bashkua vullnetarisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në vitin 1999.
Mustafa ia dha certifikatën e veteranit të luftës ish-vullnetarit të UÇK-së, Harrison, të martën në një festë në Londër për të shënuar tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës i dinë vlerat dhe kontributin tuaj dhe ne jemi shumë krenarë për njerëzit që, në kohët më të vështira, dolën në anën e Kosovë. Do të mbeteni gjithmonë një mik i Kosovës,” i tha Mustafa ish-ushtarakut britanik në këtë festë në ambasadën e Kosovës në Londër.
Harrison iu bashkua Brigadës së 138 “Agim Ramadani” të UÇK në vitin 1999 dhe guerilasve të stërvitur nga njësia e tij Delta, të cilët po luftonin në zonën e Koshares, edhe pse ai vetë nuk mori pjesë në luftime.
Një veteran i Forcave Ajrore Mbretërore të Britanisë, i cili luftoi gjithashtu në konfliktet në Kroaci dhe Bosnje, Harrison tha pas luftës se ai donte të ndihmonte njerëzit e Kosovës të fitonin lirinë e tyre.
“Unë linda në liri. Pse të mos ndihmoj dikë që kërkon atë liri?” tha ai.
Në vitin 2007, Harrison u dekorua gjithashtu me çmimin Adem Jashari nga presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu.
Certifikata e veteranit të UÇK-së teorikisht i jep të drejtë Harrisonit të kërkojë një pension në Kosovë, nëse ai është i papunë.
Një veteran lufte i papunë i regjistruar nga autoritetet, merr një pension prej 170 eurosh.
Në janar, ministri i punës në Kosovë lajmëroi se 14, 923 veteranë të UÇK-së kishin marrë pensionet ndërsa 3,000 persona të tjerë që kanë aplikuar që të regjistrohen si veteranë janë duke u shqyrtuar.
BIRN