Antiamerikanët janë në pushtet
Pushtetit po i dridhet dheu nën këmbë, andaj nga paniku përpiqet të sajojë afera. Gjatë fundjavës një mercenar gjerman, i dyshuar si vrasës i paguar nga udhëheqja e UÇK-së dhe i dënuar për atentat, lansoi një peticion virtual për largimin e ambasadorit të SHBA-së. Aksioni i këtij personi të afërt me regjimin u shfrytëzua po nga regjimi për të goditur opozitën dhe shoqërinë civile. Por kësaj radhe maskat ranë shpejt dhe Hashim Thaçit i shpërtheu në duar bomba propagandistike.
Nga Enver Robelli
Ambasadori i SHBA-së ka deklaruar se nuk do të komunikojë me zyrtarë të dyshuar për korrupsion. Nëse i përmbahet këtij përbetimi, atëherë Greg Delawie nuk mund të takohet me kryetarët e shumë komunave, të cilët vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kanë probleme me ligjin. Delawie do të jetë i mirëpritur nga qytetarët e Prizrenit, por nuk mund ta takojë kryetarin e Komunës, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe është i dënuar për shpërdorim detyre, por me kryeneçësi dhe me mbështetje të partisë nuk pranon të largohet nga posti.
Delawie mund të shkojë në Klinë, por nuk mund të zhvillojë takim me kryetarin e Komunës, i cili po ashtu është gjendur në shënjestër të drejtësisë për keqpërdorime. As në Drenas nuk mund të shkojë zoti ambasador, sepse kryetari nga radhët e PDK-së është dënuar për keqpërdorim të detyrës. Në Kaçanik mund të shkojë, por edhe atje diplomatit amerikan do t’ia përmendin Xhabir Zharkun, edhe ky kuadër i PDK-së, i cili ka ikur në Suedi nga drejtësia kosovare, e cila e kërkon për ta nxjerrë para gjyqit për plot vepra të rënda. Mund të shkojë ambasadori në Skenderaj, komunë kjo që ka një kryetar në burg për krime lufte dhe akuzuar për kërcënim gazetarësh.
Ky është lajmi i keq: ambasadorit të SHBA-së i kufizohet liria e lëvizjes në Kosovë për shkak se Partia Demokratike e Kosovës kudo ku merr pushtetin lë gjurmë të korrupsionit apo krimit.
I përballur me revoltën në rritje të qytetarëve të Kosovës kundër korrupsionit, pushteti i përbërë nga PDK-ja dhe i mbështetur nga partia-patericë LDK, gjatë fundjavës u mundua që përmes një afere të sajuar të akuzojë opozitën dhe shoqërinë civile se qëndron pas një peticioni që po kërkonte largimin e ambasadorit amerikan nga Kosova.
Me këtë armë të ftohtë synohej që rivalët politikë të goditen pas shpine, siç është në traditën biografike të shumë krerëve të PDK-së. Por bomba me sahat u shpërtheu në duar propagandistëve të regjimit. As opozita, as shoqëria civile s’ka të bëjë asgjë me këtë peticion, madje tani që ranë maskat dihet se autori i peticionit, Roland Bartetzko, është një mercenar gjerman i afërt me strukturat e UÇK-së, të cilat sot janë vendimmarrëse në PDK.
Revista gjermane “Der Spiegel” ka shkruar se Bartetzko, sipas të dhënave të qarqeve të OKB-së në Prishtinë, ishte vrasës me porosi i UÇK-së dhe dyshohej të jetë fajtor për tri sulme terrori në Kosovë. Për sulmin kundër të ashtuquajturës “Qendër për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë më 18 gusht 2000, me ç’rast u plagos një punëtore e Partisë Popullore Turke; për sulmin mbi rezidencën e përfaqësuesit të Beogradit në Kosovë më 22 nëntor 2000, me ç’rast u vra shoferi i tij; dhe “për masakrën ndaj burrave, grave dhe fëmijëve serbë, vargani i autobusëve të të cilëve më 16 shkurt 2001 ra në një kurth eksplozivi afër Podujevës”.
Për krimet e tij Bartetzko ka vuajtur mbi 14 vjet burg. Gjithnjë sipas “Der Spiegel”, ai ishte përzënë nga ushtria gjermane për shkak të sjelljeve të pandershme, kishte marrë pjesë në luftërat ballkanike si mercenar, kishte qëndruar në burg në Gjermani për shkak të plaçkitjes dhe ishte kërkuar nga policia austriake po ashtu për plaçkitje. Në vitin 2001 një zëdhënës i OKB-së e përshkruante Bartetzkon si “peshk të madh”, si person “me pasaportë gjermane, me mbiemër rus dhe me grua shqiptare”.
Pas një atentati në Prishtinë urdhrin për arrest e kishte lëshuar një gjykatëse gjermane, hetimet i kishte zhvilluar një agjent i shërbimit sekret gjerman dhe më vonë hetimet i kishte vazhduar prokurori nga Frankfurti, Peter Korneck, një specialist për krim të organizuar. “Ai (Korneck) dëshiron t’i kapë urdhërdhënësit e tij (Bartetzkos), të cilët supozohet se gjenden në qarqet e udhëheqjes shqiptare (të Kosovës)”, shkruante “Der Spiegel”. Jo pak udhëheqës të atëhershëm të UÇK-së sot mbajnë poste të larta në Qeverinë e Kosovës. Domethënë: autori i peticionit vjen nga kjo strukturë. Andaj duken hipokrite klithmat e pushtetarëve në mbrojtje të ambasadorit amerikan nga sulmet që vijnë gjoja nga opozita apo shoqëria civile.
Fakti që në këtë valle me duhmë shikiste u kyç edhe Isa Mustafa, flet shumë për karakterin e tij jo vetëm publik. Nuk do të ishte befasi nëse Mustafa së shpejti të thotë se krejt figurat e LDK-së gjatë dhe pas luftës i ka vrarë rrufeja. Sa për Atifete Jahjagën dhe paradat e saj kinse proamerikane nuk duhet humbur shumë fjalë. Ajo hyri në politikë si pasojë e një aksidenti historik të shkaktuar nga politikanët e papërgjegjshëm dhe tregoi trimëri larg përtej aftësive të saj për të marrë funksionin e presidentes.
Gara për t’u dukur proamerikan deklarativ ka vazhduar gjatë fundjavës me intensitet të shtuar. RTK, një servis i Partisë Demokratike, në edicionin qendror të lajmeve të shtunën raportoi rreth 15 minuta për këtë aferë të paqenë duke huq thelbin e lajmit. Edhe kjo është gazetari. E pistë. E panë të udhës të rrahin gjoks se janë proamerikanë edhe këshilltarë qeveritarë, myhyrmbajtës komunalë dhe protagonistë të prominencës së suxhukut.
Kjo histeri e pashembullt filloi pasi shumica e mediumeve në Kosovë e plasuan lajmin për peticion pa e njoftuar opinionin se kush ishte iniciuesi. Pastaj krejt kjo nga regjimi u shfrytëzua për një fushatë shpifëse kundër “Vetëvendosjes”, në të cilën ka më shumë mbështetës të vlerave amerikane se në partitë e krimit të organizuar që qeverisin Kosovën apo kanë qeverisur në të kaluarën.
E udhës do të ishte që mediumet të demaskonin Bartetzkon dhe të njoftonin qytetarët të mos bien në kurthin e tij, të cilin mund ta ketë ngritur ai vetë për t’u bërë protagonist publik apo me urdhër të ndonjë agjenture partiake. E udhës do të ishte që politikanët të dënonin iniciuesin e peticionit, nëse patjetër duhet dhe duan t’i kushtojnë vëmendje.
Për fat të keq në Kosovë ligjet e jetës publike funksionojnë ndryshe. Prej një budallallëku të një personi të dënuar për vrasje sajohet një aferë publike dhe për këtë etiketohet një parti politike, etiketohet shoqëria civile, etiketohen rivalë politikë. Asnjë parti, asnjë personalitet i shoqërisë civile, asnjë figurë me peshë në jetën publike nuk ka nënshkruar peticionin e Bartetzkos.
Megjithatë, në luftën brutale për të çmontuar armikun imagjinar apo rivalin politik mediumet e pushtetit nuk zgjedhin mjete. Kjo luftë bëhet për motive personale, për klikime, për interesa të partive në pushtet e për çka jo tjetër – veçse jo në emër të gazetarisë serioze.
Andaj jemi në këtë situatë. Dhe jo për herë të parë. Para disa ditësh portalet e Prishtinës, shumica e të cilave funksionojnë si fabrika për njollosje dhe duke vjedhur punën e tjetrit, manipuluan egërsisht një lajm nga Austria. Në këtë vend një refugjat nga Iraku kishte dhunuar një fëmijë me origjinë serbe. Kështu e dhanë lajmin mediumet austriake. Në mediumet e tmerrshme kosovare doli se dhunuesi ishte fëmija serb dhe viktimë irakiani. Se si mund të dhunojë një 10 apo 11-vjeçar një 20 apo 21-vjeçar le të mbetet në fantazinë morbide të kalemxhinjve kosovarë. Serbi dhunon irakianin! Kjo shitet. E kundërta më pak. Qeni kafshon njeriun – lajm që s’befason askënd. Ama kur njeriu kafshon qenin – atëherë krejt planeti zgurdullon sytë.
Afera e sajuar me peticionin personal të një personi të etur për prani në media, manipulimi me lajmin nga Austria, përhapja e lajmeve të rrejshme me qëllim denigrimi të rivalëve politikë i hedhin një hije të zezë diskursit publik. Ka aq shumë Kuaj Troje që janë futur në skenën mediale të mbështetur nga partitë në pushtet dhe ato opozitare, saqë gazetaria serioze e ka gjithnjë e më vështirë të mbrohet nga stërpikat e këtij moçali. Çmimin e paguajnë lexuesit, shikuesit dhe dëgjuesit, të cilët gjithnjë e më shumë po e barazojnë gazetarinë me politikën – një çorbë pa shije të dyja!
Kjo është tragjike, sepse në çerekshekullin e fundit Kosova ka nxjerrë gazetarë shumë të mirë, të cilët mund të maten me çdo koleg dhe kolege kudo në botën perëndimore.
Bilanci i aferës së paqenë rreth peticionit kundër ambasadorit të SHBA-ve? Jahjaga, Thaçi, Mustafa e kanë kryer detyrën e tyre: kanë thënë se janë proamerikanë dhe i kanë dënuar antiamerikanët e paqenë. Jahjaga mund të vazhdojë të lexojë Abetaren, Thaçi të merret me numërimin e shqiptarëve me bisht, Mustafa me caktimin e livadheve ku mund të kullosin gratë e Kosovës, të cilat i paskëshin kullotur fondet e huaja.
Koha Ditore