Apostolova: Muret si ai në Mitrovicë, nuk janë projekte të BE-së
“Projekt i Bashkimit Evropian është vetëm rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër, ndërsa muri që është ndërtuar pak metra më tutje është projekt tjetër”, ka thënë Apostolova, para anëtarëve të Komisionit.
Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian nuk dëshiron të shohë mure, por ura komunikimi.
“Bashkimi Evropian kurrë nuk ka ndërtuar e as nuk përkrah ndërtimin e mureve. BE-ja ndërton ura. Ajo që ne mund të bëjmë është të angazhimi dhe përpjekja në dy anët për respektim të marrëveshjeve (ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit)”, ka thënë Apostolova.
BE-ja, sipas saj, ka një projekt, që është rivitalizimi i urës së Ibrit.
“Muri nuk është projekti ynë dhe ne nuk mund ta kontrollojmë. Ne jemi duke e përcjellë situatën…, negociatat mes dy anëve janë duke vazhduar. Ne nuk duam të shohim mure”, ka thënë ajo.
Megjithatë, ka nënvizuar Apostolova, Bashkimi Evropian nuk mund të gjejë zgjidhje për këtë problem, ngase kjo çështje duhet të zgjidhet përmes negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur më këtë, ajo është shprehur e bindur se do të gjendet një zgjidhje, marrë parasysh se ka të bëjë me një problem mjaftë të ndjeshëm politik.
Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka theksuar ajo, është normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve.
Komentet e saj për murin në Mitrovicë, u shtruan si përgjigje ndaj kërkesave të deputeteve anëtare të Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani dhe Donika Kadaj Bujupi.(REL)