Arben Çejku: Miqësia pa kushte e Tiranës me Serbinë po dëmton Kosovën

Flet për “Koha Jonë”, Arben Çejku, ish-ambasador në Kosovë dhe Maqedoni

Intervistoi:  Marjana Doda

Diplomati Arben Çejku i sheh zhvillimet e fundit në Kosovë si një provokim serb jo vetëm ndaj shqiptarëve, por më së shumti ndaj diplomacisë perëndimore. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Çejku thotë se, Serbia po teston se deri ku, “mban durimi i diplomacive dhe kancelarive ndërkombëtare në raport me Kosovën”. Në analizën e tij për zhvillimet mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, Çejku vë në dukje dhe “miqësinë” pa kushte të Tiranës zyrtare që i ka ofruar Beogradit. “E inkurajuar nga dobësia e shprehur e Brukselit, në njërën anë dhe nga “miqësia” pa kushte e Tiranës zyrtare nga ana tjetër, Serbia ka së paku dy vjet që i fut shkopinj nën rrota Kosovës”,- thotë diplomati Çejku. Lidhur me zhvillimet në Maqedoni dhe rolin e Tiranës, Çejku thotë se:“Tirana e ka detyrim kushtetues të kujdeset për shqiptarët në Maqedoni dhe kudo, por protokolli i takimeve të drejtuesve partiak shqiptarë nga Maqedonia me Kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi, duhej të kujdesej më shumë për përmbajtjen, sesa për formën”.

– Z.Çejku si njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit e ato ndërkombëtare, cili është mendimi juaj për situatën aktuale në rajon dhe a po ndikon dhe a do ndikojnë zhvillimet e fundit ndërkombëtare, duke pasur këtu parasysh tensionet Rusi-SHBA, si rezultat i influencave të tyre?

Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, u duk se në pjesën më të madhe të rajonit tonë (në hapësirën e ish-Jugosllavisë) u vulos paqja dhe stabiliteti afatgjatë, duke lënë pas konfliktet ndër-etnike dhe diktaturat komuniste. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe ecuria e Maqedonisë dhe Malit të Zi në drejtim të euro-integrimeve, krijuan një klimë të re marrëdhëniesh ndërballkanike dhe rajoni ynë po konsiderohej jo vetëm partner, por edhe anëtar i mundshëm i familjes euro-atlantike. Kyçja e Serbisë në bisedime dhe marrëveshje me Kosovën, krijuan akoma më shumë hapësirë për një bashkëpunim më të gjerë mes vendeve të rajonit tonë. Kosova nisi të pranohej në Nisma dhe Organizma rajonale dhe të kontribuonte si e barabartë me shtetet e tjera në çështje të sigurisë, bashkëpunimit ekonomik, tregtisë, arsimit, lirisë së lëvizjes, anti-trafikimit etj.

Kjo kornizë marrëdhëniesh rajonale, nuk arriti të presohet, të deformohet, të ndikohet dhe të thyhet nga presionet e jashtme. Kur them presionet e jashtme, nuk kam parasysh vetëm Rusinë, por edhe ndonjë vend tjetër apo edhe rrymat ekstremiste islamiste të Lindjes së Mesme.

Natyrisht që Rusia, së paku gjatë mandatit të dytë të Presidentit Obama, shfrytëzoi të gjitha hapësirat e mundshme të manovrave në arenën ndërkombëtare për të rifituar profilin e lidershipit në zonat e dikurshme lindore në kufi me ish-BS, në Lindjen e Mesme si dhe një pjesë të rajonit tonë. Kjo do të thotë që, vëmendja dhe interferencat e interesave ruse kanë ecur paralel me çdo hap që ka bërë përpara Ballkani Perëndimor. P.sh, Rusia ka bërë luftë deklaratash në distancë me SHBA dhe NATO, kur ishte fjala për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, apo kur Kroacia, vend fqinj me Serbinë bleu pajisje ushtarake amerikane. “Vëmendja” ruse u shpreh edhe me deklaratat zyrtare në lidhje me disa incidente që ndodhën në Kumanovë.

Nga ana tjetër, SHBA, BE dhe NATO kanë mbështetur një axhendë të integrimit të brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim shërimin e plagëve të së kaluarës dhe përgatitjen e këtyre vendeve për integrim euro-atlantik.Pra, nëse Rusia sillej vigjilente rrotull rajonit tonë, duke parë me vëmendje çdo hapësirë ku mund të depërtonte me influencën e saj për frenimin e proceseve të nisura nga SHBA-BE-NATO, në krahun tjetër kemi pasur mbështetjen e palëkundur të SHBA për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në këtë pjesë të Europës.

Unë mendoj se, sot rajoni ynë duket në një situatë delikate jo për shkak të presioneve apo influencave të jashtme. Sepse, siç e thashë ato aty kanë qenë që në ditën e parë të tranzicionit ballkanik. Fuqitë e mëdha, kanë pasur, kanë dhe do të kenë interes në rajonin tonë.

Kriza e brendshme që po ndodh sot në rajonin tonë, mendoj se ka ardhur më shumë për shkak të disa dështimeve në qeverisjet e brendshme të disa prej vendeve. Korrupsioni endemik dhe forcimi i kultit të pandëshkueshmërisë për zyrtarët dhe qeveritarët, shtrirja e mëtejshme e krimit të organizuar përmes konsolidimit të rrjetit të trafiqeve të drogës e prostitucionit, rritja e papunësisë dhe shtimi i emigracionit, mungesa e mbrojtjes sociale të shtresave në nevojë, dobësimi i demokracisë së brendshme në partitë dhe institucionet e këtyre vendeve, deformimi i votës popullore dhe shumë e shumë probleme të tjera, kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në frenimin e ecurisë së vendeve tona në procesin e integrimit euroatlantik dhe në rikthimin tek retorika nacionaliste dhe identifikimi i “armiqve të jashtëm”.

Sa më shumë dështojnë demokracitë e vendeve të rajonit tonë, aq më i ekspozuar ndaj rrezikut të paqes e sigurisë është ai.

Shumica e lidershipeve të rajonit tonë, në pamundësi të justifikimit të qeverisjes së keqe dhe dështimeve me demokracinë brendapartiake dhe devijimin e vullnetit popullor në zgjedhje të diskutueshme, i janë rikthyer retorikës dhe “argumenteve” nacionaliste. Përdorimi i historisë në ngritjen e argumenteve politike përballë kundërshtarëve në fushata paraelektorale apo elektorale, mund të nxisë një krizë serioze në marrëdhëniet brendarajonale. Këto retorika u materializuan, fatkeqësisht, ditët e fundit nga treni nacionalist serb, i cili riktheu në rajon hijen millosheviçiane të ballafaqimeve etnike. Fuqitë e mëdha, natyrisht që përballë çdo problemi që ekspozon rajoni ynë, do të marrin pozicionin e tyre.

– Duket sikur po krijohet një “trekëndësh i zjarrtë”, Maqedoni-Serbi-Mali Zi, që dhe pse aspirojnë për në NATO e BE, janë nën mbrojtjen dhe interesat ruse. Cili mund të jetë orientimi politik  dhe e ardhmja e tyre?

Nuk mund t’i vendos në një formë gjeometrike problematikat dhe zhvillimet që janë në vendet e rajonit tonë, përfshi ato që ju përmendët. Unë mendoj se, pavarësisht investimit të Rusisë për një ndikim më të madh në Ballkanin Perëndimor, SHBA mbetet një nga vendet më me ndikim në rajonin tonë. Serbia është përpjekur të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira me Rusinë, sidomos përballë faktorit shqiptar dhe kroat. Pavarësisht presioneve ruso-serbe, Mali i Zi është tashmë në NATO, ashtu siç edhe Maqedonia nuk ka destinim dhe përkushtim tjetër.

Çdo devijim nga aspirata e shqiptarëve të Maqedonisë për integrim euro-atlantik, do ta zhvendoste këtë vend në një udhëkryq destabiliteti të rrezikshëm.Nga ana tjetër duhet të sqaroj se Serbia, asnjëherë nuk ka shprehur aspiratë për anëtarësim në NATO, përveçse anëtarësim në BE. Ajo ka shprehur neutralitet ndaj NATO-s duke justifikuar kështu marrëdhënien speciale me Rusinë, e cila do dëshironte shumë që edhe Maqedonia të kishte të njëjtin orientim dhe status si Serbia.

– Si rezultat dhe i karrierës tuaj diplomatike në Kosovë e Maqedoni, si i vlerësoni provokimet më të fundit serbe me çështjen “Haradinaj” dhe “Trenit të sherrit”, çfarë fshihet pas këtyre akteve?

E inkurajuar nga dobësia e shprehur e Brukselit, në njërën anë dhe nga “miqësia” pa kushte e Tiranës zyrtare nga ana tjetër, Serbia ka së paku dy vjet që i fut shkopinj nën rrota Kosovës. Tre provokimet e fundit që ndodhën, unë mendoj së më shumë iu drejtuan faktorit ndërkombëtar për të parë se deri ku mban durimi i diplomacive dhe kancelarive ndërkombëtare në raport me Kosovën, më shumë sesa ishin sulme për të goditur Kosovën së brendshmi. Kjo u pa edhe nga reagimet shqiptare, të cilat, në unison e forcuan së brendshmi shtetësinë e Kosovës dhe figurën e Ramush Haradinajt. Problemi është tek reagimi ndërkombëtar për Kosovën. Kjo është thembra e Akilit që synon të godasë shigjeta e diplomacisë serbe. Beogradi ka provuar edhe më parë të sulmojë dhe fatkeqësisht ka pasur reagim deklarativ pa asgjë konkrete, sidomos nga BE.

Brukseli, p.sh, u tregua hileqar ndaj Prishtinës, kur pa se Serbia po bënte fushatë të hapur kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ashtu siç bën edhe sot kundër anëtarësimit në Interpol etj. Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO ishte më shumë dështim i Brukselit, sesa i Prishtinës, sepse Brukseli ishte garant për zbatimin e Marrëveshjes së 19 Prillit 2013. Po ashtu, mbajtja nën izolim e qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që atyre të Ukrainës ju dha liria e lëvizjes në hapësirat Schengen, apo vendosja e kushteve sui-generis, siç është ai për demarkacionin me Malin e Zi, themelimi i një Gjykate Speciale për drejtuesit e sotëm politik të Kosovës, që vijnë nga radhët e ish-UÇK etj, kanë inkurajuar Serbinë që të vijojë me axhendën e saj për gjunjëzimin e Kosovës dhe kalimin e saj në listën e shteteve të dështuara.

Ndaj Kosovës mund të ketë edhe provokime e sulme të tilla, në mos edhe më të rënda. Serbia e di fare mirë, p.sh, që Haradinaj ka vulën e pafajësisë nga një Gjykatë ndërkombëtare, siç është ajo e Hagës. Ajo nuk ka prova të reja. Por, një dobësi e Francës për t’ja dorëzuar atë autoriteteve të Serbisë, dihet se do të ndikonte në destabilizimin e brendshëm të Kosovës. Ky është synimi, pra, destabilizimi dhe përdorimi i serbëve të Kosovës si retorikë dalëzotëse elektorale në zgjedhjet e Serbisë.

– A ekziston mundësia e ndërtimit të murit në Mitrovicë dhe a do shërbente kjo si shkak për ndërtimin e “mureve”  tjerë  dhe cenimit të paqes në  Ballkanin e mbarsur me konflikte ndëretnike?

Muri i ndërtuar në vend të urës në Mitrovicë, është një shembull tjetër, që tregon sesi bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, deri tani kanë pasur thuajse vetëm një fitues; – Serbinë. Muri në Mitrovicë, më shumë sesa sukses i Serbisë është reflektim i dobësisë së politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Europian. Me përjashtim të Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës dhe ndonjë vendi tjetër, BE duket e lodhur nga Ballkani dhe kjo vihet re edhe në Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoni. Procesi i Berlinit, mbuloi deri diku dështimet në politikën e jashtme të BE-së, por nuk ka mjaftuar.

Lidhur me murin e Mitrovicës do thoja se edhe reflektimi zyrtar i qeverisë së Kosovës ka qenë zhgënjyes. Asnjë zyrtar i përfshirë në bisedimet e Brukselit nuk dha së paku dorëheqje. Mund të shkruhen disa vëllime me deklaratat e negociatorëve të Kosovës, që kanë folur për zgjidhjen e krizës në Urën e Ibrit e tani për Murin e Ibrit. Rikthimi në bisedime pa një reflektim konkret nga ana e Serbisë është një hap qesharak nga ana e zyrtarëve të lartë të Kosovës. Një hap i tillë mund të bëhej, kur Serbia do të bënte së paku dy hapa mbrapa nga tre që bëri; të niste shembjen e murit dhe të hiqte dorë nga kërkesa për ekstradimin e ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj.

– Ka shumë kritika nga opozita, por edhe nga diplomatë lidhur me rolin e Kryeministrit shqiptar Edi Rama në raportet Serbi-Kosovë. A ka ndikuar përpjekja e Ramës për një marrëdhënie të re me Serbin në dëm të interesave të Kosovës?

Unë në fakt kam mbështetur vizitat e Kryeministrit Rama në Serbi me dëshirën e mirë që këto takime të ndikojnë në përforcimin e rolit euro-atlantik të Shqipërisë në rajon dhe, nga ana tjetër, ky afrim të ndikojë në raportet delikate mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse nisemi nga rezultatet konkrete dhe nga sjellja e papritur e Serbisë në raport me Kosovën, vëmë re se kemi një defiçit diplomatik në raport me Serbinë. Diplomacia serbe shfrytëzoi ambicien e Kryeministrit tonë për protagonizëm rajonal, duke rënë madje në kurthin e personalizimit të marrëdhënieve institucionale. Pas tre provokimeve serbe, batutat e shkëmbyera mes Ramës e Vuçiç në takimet e tyre të shpeshta, nuk di si mund të përkthehen. Anashkalimi i Kosovës gjatë vizitës së tij të fundit në Serbi, la shije të hidhur dhe unë preferoj të besoj më shumë qëndrimin kritik të MPJ të Kosovës, E. Hoxhaj, sesa kafet “vëllazërore” respektive, që pinë në Tiranë e Prishtinë Rama e Thaçi. Nuk jemi ne, por është historia jonë kombëtare, që marrëdhëniet me Serbinë, na i dikton të kalojnë gjithnjë përmes Kosovës.

– Situata në Maqedoni mbetet e brishtë. Fitorja sërish e Nikolla Gruevskit, që ka shfaqur rezerva ndaj Perëndimit për papajtueshmëri me politikat e tij, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër unifikimi i faktorit shqiptar, ku partitë politike dolën me një deklaratë të përbashkët me kushte, veç të tjerave dhe në orientimin euro-atlantik të  shtetit maqedon, si e komentoni të ardhmen e këtij vendi?

Kriza në Maqedoni nisi për shkak të përplasjes së dy partive të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM. Shqiptarët ishin jashtë kësaj përplasjeje dhe mendoj që edhe sot duhet t’i qëndrojnë sa më larg përplasjes për pushtet, që kanë këto dy forca. Fakti që partitë shqiptare sot kanë çelësin e qeverisë së re, në sytë e palës humbëse maqedone, mund t’i kthejë ato si shkaktarë të krizës së re dhe tensioneve. Pra, duhet pasur shumë kujdes që pesha specifike e pakicës, të mos shërbejë si argument i ri krize.

Deklarata e partive shqiptare, më shumë sesa një axhendë për bashkëqeverisje me një nga partitë maqedone, është një kornizë e mirë bashkëpunimi afatgjatë mes tyre për të ardhmen. Por kjo varet nga vullneti i këtyre partive. Personalisht jam skeptik, për aq kohë sa shoh që në bisedimet me palën maqedone nuk shkojnë të gjithë liderët bashkë ose nëpërmjet një autoriteti gjithëpërfaqësues. Nëse ata bisedojnë veç e veç me kandidatin maqedonas për kryeministër, ndërkohë që kanë një “platformë shqiptare” për të diktuar, nuk do të kenë rezultat dhe përçarja mes tyre nuk duket larg.

-Do të ishte në favor të interesave të shqiptarëve, nëse Ali Ahmeti bën koalicion me Gruevskin, apo duhet të shohë  mundësinë e  një koalicioni me Zoran Zaev?

BDI dhe vetë zoti Ahmeti janë në një udhëkryq politik të vështirë jo vetëm për rezultatin zhgënjyes që morën me 11 dhjetor, por më shumë për shkak të qeverisjes së gjatë dhe dilemës për rifreskim. Duke qenë në një qeverisje të gjatë, sidomos me Gruevskin, BDI është shndërruar gati në një parti administratorësh dhe zyrtarësh, ndërkohë që, ndryshimet e brendshme kanë ndodhur pak ose aspak fare. Kjo duket se ka vënë në dilemë vetë zotin Ahmeti, nëse do të ndihmojë qeverisjen e re, duke konsideruar rrezikun e rrudhjes së mëtejshme të elektoratit të tij, apo të dalë në opozitë dhe të ribëjë partinë gati për zgjedhjet e ardhshme.

Personalisht, mendoj se zgjidhja më e mirë për z. Ahmeti do të ishte mbështetja e qeverisë së re në parlament (partia maqedone që siguron shumicën) duke mos qenë pjesë e ekzekutivit.

Duket si koalicion minorancash, por në fakt, kriza e Maqedonisë duket se ka pak hapësirë për t’u zgjidhur. Duke dhënë mbështetjen me kusht, BDI rikthehet në bazë, prej së cilës është larguar. Ndërkohë, partitë e tjera shqiptare mund të zgjedhin bashkëqeverisjen ose të rrinë në bllok opozitar me Ahmetin, duke pasur si platformë të përbashkët, Marrëveshjen e nënshkruar mes tyre.

– Në median maqedonase takimi i Kryeministrit Rama dhe Ministrit të Jashtëm, Bushati me drejtuesit e partive shqiptare maqedonase në Tiranë u cilësua si ndërhyrje në punët e brendshme të Shkupit. Ju si e shihni angazhimin e Tiranës zyrtare në Maqedoni? Çfarë duhet apo mund të bëjë më shumë Tirana për Shqiptarët në Maqedoni?

Tirana e ka detyrim kushtetues të kujdeset për shqiptarët në Maqedoni dhe kudo. Mendoj se duhej pak më shumë elegancë dhe konfidencialitet tradicional në ndihmën që ofroi Tirana. Protokolli i takimeve të drejtuesve partiak shqiptar nga Maqedonia me Kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi, duhej të kujdesej më shumë për përmbajtjen, sesa për formën. Në çdo rast, ndihma apo komunikimi që bëjmë me faktorin shqiptar në rajon, duhet të shmanget nga përdorimi për axhenda personale dhe partiake nga cilido drejtues institucioni në Shqipëri.

Kjo do të thotë që Tirana duhet edhe të përkujdeset edhe të bëjë kujdes në marrëdhëniet me partitë në Maqedoni.

Çështja shqiptare në Rajon po merr çdo ditë e më shumë një rëndësi të veçantë. A mendoni se është e mirëorientuar dhe e unifikuar politika e Tiranës në përgjithësi dhe ajo zyrtare në veçanti?

Pavarësisht retorikës që përdoret, keqkuptimeve dhe komunikimeve të munguara herë pas herë ndërmjet institucioneve që kujdesen për politikën tonë të jashtme, në përgjithësi, ka një unifikim qëndrimesh lidhur me sfidat tona shtetërore dhe kombëtare. Debatet që vihen re dhe që janë aktuale edhe sot, zhvillohen mes palëve jo si kundërshti, por si ballafaqim alternativash. Për aq kohë sa ka debat politik dhe publik në të mirë të interesit kombëtar, nuk ka asgjë të keqe. Problemi është kur vihet re moskomunikim dhe mosfunksionim ndërmjet disa institucioneve shtetërore, që janë përgjegjëse për politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë. Nuk duhet të harrojmë se institucionet nuk janë të mandatarëve, por të popullit që i ka ngritur ato me shumë sakrifica dhe se interesi kombëtar nuk është monopol i asnjë personi apo partie.

– Është një pyetje që u bëhet sot thuajse në gjithë rajonin diplomatëve dhe politikanëve. Çfarë do të ndodhë në Ballkan pas marrjes së Presidencës nga Donald Trump?

Unë pata fatin të marr pjesë në javën inauguruese të Presidentit Trump dhe kam pasur disa takime me ekspertë të politikës së jashtme. Ne nuk duhet të presim ndonjë vëmendje të posaçme, siç edhe ka ndodhur më parë, kur rajoni ka pasur kriza të mëdha. Çdo presidencë amerikane ka pasur sfidat e veta. Edhe presidenca Trump do të ketë sfidat e saj dhe ka një axhendë të caktuar të promovimit dhe mbrojtjes së interesave amerikane. Perceptimi dhe mendimi im është se administrata e re Trump, pavarësisht sfidave të tjera globale, do ta ruajë dhe shtojë investimin që SHBA ka bërë për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë. Shpresoj dhe uroj që do të ketë disa hapa më konkretë në drejtim të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe forcimit të demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

SHKARKO APP