Arrestimet para seancës/ Një muaj burg për deputetët e Vetëvendosjes (Foto+Video)
PRISHTINE- Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, që u arrestuan sot para se të hynin në seancën e Kuvendit të Kosovës, janë dërguar menjëherë në paraburgim.
Tre deputetëve iu është dhënë masa e paraburgimit prej 30 ditësh, raporton KTV.
Urdhërarresti i Gjykatës Themelore ndaj këtyre deputetëve ishte me kohë i specifikuar me këto masa.
Ish-kreu i VV-së u arrestua nga Policia e Kosovës në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar ndaj tij për rastin e gazit lotsjellës që u hodh në Kuvend. Ai është ndaluar teksa po hynte në godinën e Kuvendit të Kosovës për vazhdimin e seancës.
Një ditë më parë, gjyqtari Beqir Kalludra urdhëroi arrestimin e deputetëve Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu, ndërkohë që u caktoi edhe paraburgim, për shkak të mosparaqitjes së tyre në seancën gjyqësore ndaj hedhjes së gazit lotsjellës.
Kurti, Haxhiu, e Kadaj, akuzohen për hedhjen e sprajit dhe gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë seancave të vitit të kaluar, kur tentohej të bllokohej ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe ngritja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së dalë nga dialogu me Beogradin.