Arrestimi i Hysni Gucatit, veteranët bllokojnë rrugën, gjuajnë me shishe EULEX
Arrestimi i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ka shkaktuar revoltë te dhjetëra veteranë që kanë bllokuar rrugën “UÇK” për disa minuta.
Ata kanë gjuajtur me shishe pjesëtarët e EULEX-it, derisa këta të fundit kanë hyrë në korridoret e ndërtesës ku gjendet selia e OVL së UÇK-së.
Ndërsa, veterani Adem Bucolli ka thënë se luftëtarët e UÇK-së nuk kanë bërë krime.
Bucolli: Ne nuk kemi bërë krime. Nëse Gucati është kriminel edhe na jemi, po ne nuk kemi bërë krime.
Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, është nxjerrë i prangosur nga zyrat e kësaj organizate në Prishtinë, pas arrestimit nga zyrtarë të EULEX-it.
Ai pritet që tash të dërgohet në Hagë, në bazë të një urdhërarresti të Gjykatës Speciale.
Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, është arrestuar të premten nga EULEX-i. Ai pritet të dërgohet në Hagë, ka konfirmuar avokati Tomë Gashi.
Gucati bëhet figura e dytë e UÇK-së që arrestohet nga Gjykata Speciale, pasi Salih Mustafa ishte i pari që u arrestua të enjten.