Arrestimi i Krasniqit, Baton Haxhiu mesazh të veçantë të stampuar në bluzë

Gazetari Baton Haxhiu i ftuar në “Abc Radar” me Jonida Shehun e dha mesazhin e tij për arrestimin e ish-kreut të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi nëpërmjet veshjes.

“Liria ka emër, UÇK”, shkruhej në bluzën të cilën gazetari kishte veshur në studio.

“Kjo është bluza e parë që vesh me mesazh. Në njëfarë mënyrë burgoset liria. Krimi kudo duhet të dënohet dhe fajtor duhet të arrestohen. Unë e kam kundërshtuar edhe atëherë Specialen”, tha Haxhiu.

Sipas gazetarit arrestimi i Krasniqit ishte i papritur, ndërkohë që Speciales i ka mbaruar mandati.

Presidenti i ka kërkuar një sqarim Gjykatës Speciale sepse është e detyruar të bëjë sqarime. Deri më datën 15 ata duhet të kthejnë një përgjigje. Edhe Eulex dhe Speciales formalisht i ka mbaruar mandati. Në momentin kur pritej të kthehej një përgjigje nëse do ti zgjatej mandati, sot kemi një arrestim tjetër. Është lajm i keq për drejtësinë. Është edhe me fajin e deputetëve që e votuan Gjykatën Speciale”, tha ai.

Haxhiu shtoi më tej se aktakuza përqendrohet në shtabin e përgjithshëm, ndërsa thotë se priten edhe arrestime të tjera.

“Nga ajo që mund të thuhet, akuza përqendrohet në shtabin e përgjithshëm dhe mundohen ta vendosin shtabin si një organizatë e mirëorganizuar dhe mund të akuzohet për krime që nuk mund të individualizohen.

Mendoj që aktakuzat do të jenë të bazuar në një dokument që e ka bërë OSBE në vitin 2000 ku akuzon segmente të caktuara të UÇK për shpërnguljen e serbëve në Kosovë. Ajo që dëshirohet në këtë është pastrimi etnik ta ketë pasqyrën e njëjtë në të gjithë Ballkanin, tha gazetari.

Sipas gazetarit nëse thirren në gjykatë 50% të politikanëve, do të ketë vakum të madh politik.

“Nëse merren 50% të politikanë në gjykatë atëherë ne do e kemi një vakum të madh politik. Kjo nuk është mënyrë për të pastruar politikën. Nuk mund të akuzosh UÇK për luftën çlirimtare. Dhe atëherë duhet ti kthehemi historisë dhe të dënojmë edhe Francën, Holandën që kanë kryer krime të pashembullta”, u shpreh Haxhiu. /abcnews.al

SHKARKO APP