Arrestohet deputetja Donika Kadaj
Deputetja e Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi është arrestuar sot në orët e para të mëngjesit, njofton partia opozitare të cilës i takon, AAK. Sipas kësaj partie opozitare, “AAK i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë, që të mos shndërrohen në vegla të pushtetit duke zbatuar urdhëra politike”. “AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve: Asociacionin dhe Demarkacionin, përkunder shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal, i cili është vënë në tërësi në funksion kundër interesave të shtetit duke cënuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. AAK kërkon lirimin sa më parë të deputetes, Donika Kadaj. Ndërsa sipas medias Policia ka shkuar edhe te shtëpitë e deputetëve të LVV, Albin Kurti e Albulena Haxhiu. Gjykata Themelore e Prishtinës dje ka lëshuar fletë arrest ndaj katër deputetëve opozitarë të Kuvendit të Kosovës. Fletë arresti është lëshuar për Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Donika Kadaj-Bujupin dhe Faton Topallin. Këto zhvillime pasojnë ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, ku ka pasur hedhje gazi lotësjellës nga opozita.