Arrestohet se jepte bukë falas
Një furrxhi nga Kosova që jeton në Zagreb jep falas bukën prej 18 vjetësh te familjet në nevojë, pavarësisht se ka paguar mijëra euro gjoba për këtë.
Nga Sven Milekic, BIRN
Azgan Qenaj dhuron bukë te njerëzit në nevojë në Zagreb, pavarësisht se ka paguar një çmim të lartë për veprat e tij të mira.
Atij iu desh të paguajë rreth 40,000 euro gjoba nga 2008 dhe 2009 por mbetet besimplotë se “asnjë kore bukë nuk duhet të shkojë dëm”. Inspektorati i shtetit e gjobiti atë duke pretenduar se ai kishte shkelur ligjin e tregtisë duke shitur bukë pas orarit të lejuar, megjithëse ai po e dhuronte atë.
Një ligj mbi TVSH-në në Kroaci, që hyri në forcë në dhjetor, hoqi pagesat e TVSH te ushqimi i dhuruar, duke i dhënë një nxitje prodhuesve të ushqimit si ai të japin falas tepricat.
Megjithatë, Qenaj, 48 vjeç, ka dhuruar bukën dhe ëmbëlsirat e pashitura prej vitesh te ata që kanë nevojë.
Qenaj, furra Romaja e të cilit – që ka marrë emrin e fshatit të tij në Kosovë – shtrihet në një lagje të vjetër punëtorësh në Tresnjevka, ka dhënë falas të gjithë bukën dhe ëmbëlsirat e pashitura prej 18 vjetësh.
Furra është e njohur për byrekët me djathë dhe është një vend popullor për të ngrënë ndonjë ushqim mbrëmjeve nga të rinjtë.
Qenaj u largua nga Kosova kur filloi gjimnazin në vitet ’80, duke kaluar në shtëpinë e të afërmve të tij në qytetin verior të Bosnjes, Doboj.
Ai punoi atje gjatë natës duke ndjekur shkollën ditën. Në vitin 1989, ai kaloi në qytetin bregdetar kroat të Pulës, dhe pasi mbaroi ushtrinë në Novi Sad në Serbi, erdhi në Zagreb në mesin e viteve 1990.
Megjithëse ka shumë furrxhinj të tjerë të gatshëm të japin falas bukën, ai është i vetmi që e bën këtë gjë me një kosto prej 40,000 eurosh gjoba. Ai vazhdoi të paguante gjobat, në buzë të greminës për të dalë nga tregu dhe iu desh të merrte një kredi dhe të jepte me qira furrin e tij të bukës.
Qenaj vjen në furrën e tij të bukës çdo ditë, duke kontrolluar nëse gjithçka në është rregull, me një buzëqeshje në fytyrë.
Një burrë miqësor, ai është modest kur vjen puna te përshkrimi i veprimeve të tij të mira, duke këmbëngulur se nuk ka bërë asgjë të veçantë.
“Thjesht jap falas bukë përditë për njerëzit në nevojë,” tha ai. “E bëj sepse nuk dua që buka të përfundojë në plehra. Nuk e kam hedhur kurrë bukën në plehra. As nuk kam për ta bërë ndonjëherë,” tha ai.
Ai shpjegon se ka pasur shumë probleme me ligjin që i ndalon shitjen e bukës pas orës 9 të darkës megjithëse ai mund të shesë sanduiçë deri në mesnatë ose më vonë.
“Ia falja bukën e sapopjekur fqinjëve, që të mos përfundonte në plehra,” kujton ai, duke shtuar se kjo i ka kushtuar shumë para.
“Njerëzit vinin të uritur në furrën e bukës dhe shihnin bukën e sapopjekur në rafte. Ata kërkonin bukë por unë nuk mund ta shes pas orës 9 të darkës, ndaj fillova ta fal,” thotë ai.
Qenaj ankohet se ndërsa u ndalua të shiste bukën pas orës 9 të mbrëmjes, karburantet mund ta shesin atë pa problem.
“Ç’punë ka buka me karburantet?” pyet ai në mënyrë retorike, duke e quajtur ligjin të padrejtë.
“Ligji thotë se nuk mund ta shes bukën, por a mund të ma ndalojë ta jap falas kur njerëzit janë të uritur?” pyet ai.
Qenaj prentedoi se ai nuk ka shkelur asnjë ligj, meqënëse ai nuk e shiste bukën pas orës 9 por e falte atë pa përfituar në asnjë mënyrë.
“Nuk isha i vetmi që u gjobit për gjëra të ngjashme, edhe furrxhinj të tjerë u gjobitën,” thotë ai. “Por unë isha i vetmi i gjobitur që po falja bukë në Kroaci. Këtë padrejtësi nuk mund ta duroj,” shton ai.
“U gjobita sepse isha një ‘askush’, një peshk i vogël parëndësi,” thotë ai, duke këmbëngulur se ajo që e bezdisi ishte padrejtësia që pësoi dhe jo humbja e parave.
Qenaj vazhdon të japë falas bukën e pashitur dhe thotë se do të vazhdojë të ndihmojë 15-20 familjet që i vijnë çdo ditë.
“A ka gjë më të bukur në jetë se t’i japësh diçka dikujt, sepse ti e ke dhe ai jo – dhe pastaj tjetri të falënderon?” pyet ai me një buzëqeshje.
Qenaj vjen nga një traditë e gjatë familjare e furrxhinjve që daton nga stërgjyshi i tij. Ai shpreson që një nga katër fëmijët e tij, aktualisht të zënë me studime, do të vazhdojnë biznesin.
“Do të më pëlqente sigurisht, por nuk do t’i nxis,” thotë ai. “Nuk jam i sigurt se ata do ta vazhdojnë; u pëlqen ta bëjnë çdo gjë në kompjuter”.
“Nuk mund të përgatisësh bukë në Facebook ose në internet. Mund ta porosisësh, por nuk mund ta prodhosh,” përfundoi ai duke qeshur.