Auditimi i Jashtëm në Republikën e Kosovës

Placeholder Image

Nga: Dorino Meço dhe Livan Hoxha

Mbas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, drejtimi dhe administrimi i vendit është bërë në zbatim të kushteve të përcaktuara në Rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në bazë të secilës u krijua Administrata e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), e cila krahas problemeve të shumta, rëndësi të veçantë i ka kushtuar krijimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, në nëntor të vitit 2003.

Auditori i Përgjithshëm është emëruar nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 15 qershor të vitit 2008 u themelua Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, e cila nga ky moment ka raportuar në mënyrë periodike në Kuvendin e Kosovës.

Auditori i Përgjithshëm (vendas), është emëruar nga Kuvendi i Kosovës më 30 mars 2016, ndërsa ligji i ri për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), është aprovuar nga Kuvendi në qershor të vitit 2016 dhe ka hyrë në fuqi më 26.06.2016.

Auditori i Përgjithshëm ka në kompetencën e tij të ushtroj kontrolle mbi; veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike dhe të personave të tjerë juridik shtetërorë, përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve publike, nga organet e pushtetit qendrorë dhe lokal, si dhe veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjeve publike dhe personave të tjerë juridikë, tek të cilët shteti ka një pjesë të aksioneve ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës kontrollon shpenzimet e parasë publike, e ndihmon Kuvendin të mbajë llogaridhënien qeverinë dhe institucionet publike për mënyrën se si ata i shpenzojnë paratë publike, i ndihmon atyre që janë ngarkuar me ofrimin e shërbimeve publike të përmirësojnë performancën e tyre në dhënien e shërbimeve në nivel qendrorë dhe lokal.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), punon për; Kuvendin e Republikës së Kosovës përkatësisht; Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet dhe Financa, Komisionet e tjera të linjës si; Komisionet për Shëndetësi, Ambient, Arsim etj, Deputetët e Kuvendit, Ministrat dhe Kryesuesit e Institucioneve të Pavarura dhe Kryetarët e Komunave, Publikun në përgjithësi dhe grupet e interesit.

Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në datat 8-9 nëntor 2017 u zhvillua në Prishtinë vizita studimore me temë “Baza ligjore, organizimi i brendshëm dhe mandati i auditimit të ZKA-së.”    

Në këtë aktivitet KLSH-ë, u përfaqësua nga audituesit Livan Hoxha, Dorino Meço, Albi Anxhaku, Aleksandër Papadhimitri, Alma Naska, Blerin Shkurti, Vasil Vani, Qemal Meta, Lili Dulo, Erjon Muho, Gerti Hekurani dhe Nerënxa Llapashtica.

Ky aktivitet u organizua në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Pas takimit me përfaqësuesit e ZKA-së dhe prezantimit të pjesëmarrësve të KLSH-së, audituesi Dorino Meço, bëri prezent dhe ndau me pjesëmarrësit e ZKA-së, veçanërisht z. Imri Semetishti Drejtor i Përgjithshëm i ZKA-së, eventin që organizon Kontrolli i Lartë i Shtetit nga datat 7 Nëntor deri 11 Dhjetor 2017 “Muajin e Hapur për Qytetarët”, duke paraqitur dhe shpjeguar rëndësinë dhe impaktin e këtij eventi, mbështetur në Standardin Ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit, ISSAI 12, “ Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit-të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, me qëllim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët, si dhe prezantuam rëndësinë e transparencës dhe njohjes së ndërsjellët të punës mes Departamenteve të Auditimit në Institucion.

Njëherësh u bë prezent dhe Doracaku 2016, i përgatitur për këtë qëllim “Përformanca e KLSH-së, për vitin 2016”, konkretisht u trajtuan për njohje: “Korniza e matjes së performancës, indikatori i dobisë së auditimit, auditime të kryera në vitet 2002-2016, dëmi ekonomik i zbuluar dhe humbjet në financat publike nga shkeljet financiare,shkelje të ligjshmërisë me dëm ekonomik, kallëzimet penale 2002-2016, rekomandime për ndryshime, apo përmirësim të legjislacionit dhe zbatimi i tyre, auditime performance, auditime të Teknologjisë së Informacionit, menaxhimi institucional dhe konferencat shkencore vjetore 2012-2016”            

Ky dokument iu la përfaqësuesve të ZKA-së, për njohje të mëtejshme nisur edhe nga interesi i treguar nga ana e tyre për këtë qëllim, të cilët shprehën entuziazëm dhe interes për këtë risi të KLSH-së.

Në vijim të takimit fjalën e hapjes e mbajtën z. Ismir Semetishti dhe z. Safet Berisha. Objektivat dhe përmbajtja e vizitës studimore të prezantuara nga kolegët e ZKA-së ishin: Baza ligjore e funksionimit të ZKA-së, skema organizative, marrëdhëniet me Kuvendin, përmbledhjet e raporteve të auditimit për Kuvendin, Komisionet KBF, KMFP, planifikimi i auditimeve, llojet e auditimeve, procesi i auditimit, zbatimi i rekomandimeve.

Njëherësh gjatë prezantimeve për çdo temë u diskutuan të përbashkëtat dhe ndryshimet që konstatohen në proceset dhe procedurat, që nga krijimi i institucionit dhe funksionimi i tij, ku secili nga pjesëmarrësit dha opinionin dhe mendimin e tij në varësi të eksperiencave në vite, por edhe eksperiencat e fituara nga trajnimet jashtë vendit.

Pavarësisht nga vlera dhe rëndësia që trajtuam më sipër, diskutimet ndërmjet pjesëmarrësve ishin të vlefshme dhe interaktive të mbështetura me shembuj konkretë, duke nxjerrë konkluzione të bazuara në argumente ligjore, profesionale dhe logjike të pjesëmarrësve, që nënkupton zhvillimin e  eksperiencave, njohurive, zotësive dhe qëndrimeve që duhet të pajisen auditiuesit, për të krijuar një bashkëpunim profesional e të nevojshëm, për të qenë të suksesshëm dhe përmirësuar performancën në kryerjen e funksionit të audituesit shtetërorë. Duke punuar dhe përparuar çdo ditë e më shumë në drejtim të rritjes së kapaciteteve profesionale audituese, me siguri publiku i gjerë do të gjej tek Institucionet e Auditimit të Jashtëm mbështetje të plotë, transparente dhe në kohën e duhur.

*Auditues ne KLSH

SHKARKO APP