Autobusi me shqiptarë të Kosovës sulmohet me gurë në Serbi

Një autobus ku ndodheshin dhjetëra shqiptarë është suluar me gurë në Serbi. Udhëtarët po kalonin tranzit nga Kosova drejt Sllovenisë. Gjatë sulmit, autobusit i janë thyer xhamat, duke rrezikuar edhe jetën e udhëtarëve.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila thotë se në Serbi nuk po pushon kultivimi i urrejtjes ndaj Kosovës.

Më tej në reagim thuhet:

Jemi ende në pritje të informacionit, që autoritetet e sigurisë dhe rendit në Serbi po e vonojnë qëllimshëm, duke dashur ta minimizojnë këtë incident të motivuar politikisht nga përfaqësuesit politik të këtij vendi.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Jashtme ka shprehur shqetësimin, se institucionet e BE-së nuk kanë reaguar, siç kanë bërë edhe në raste të mëparshme.

Ndërkohë autoritetet kosovare, u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre, që të shmangin Serbnë si tranzit, pasi konsiderohet si një territor që nuk ofron siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik.

Kujtojmë këtu se në muajt e fundit, autoritetet serbe, kanë ndaluar në territorin e tyre disa shtetas kosovarë.

SHKARKO APP