Autoritetet ngrenë shqetësimin, paralajmërojnë rritje të infektimeve me COVID-19 në Kosovë

Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit në Kosovë, rekomandojnë që të vazhdohet me respektimin rigoroz të masave kundër COVID-19 dhe kufizim të lëvizjes, pasi sipas parashikimeve, do të ketë rritje të rasteve të reja gjatë kësaj jave.

Gjatë mbledhjes së Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se gjendja e pandemisë është nën kontroll “dhe nuk ka tendenca për alarm”.

Ai tha se në dy javët e fundit ka pasur rënie simbolike të rasteve të reja, por shtoi se gjatë kësaj jave ka “shenja iniciale të rritjes së rasteve pozitive”.

Zemaj tha se sipas projeksioneve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), numri i të sëmurëve do të variojë prej 312 deri në 321 raste, mesatarja 317 raste në 100 banorë, “që do të paraqiste rritje prej 6.9 për qind, kurse numri i vdekjeve prej 4 deri në 5 vdekje brenda ditës, me mesatare 4 raste të vdekjes, me ulje prej 19.2 për qind”.

Ndërkaq, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani tha se kanë bërë të gjitha përgatitjet për fushatën e vaksinimit dhe tha se presin që kontingjenti i parë i vaksinave, të jetë prej prodhuesve AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it.

Ramadani nuk tregoi se kur do të arrijë ky kontingjent me vaksina, por më herët, zyrtarët kanë thënë se ato pritet të arrijnë në fund të shkurtit apo fillim të marsit.

Kosova pritet të marrë në total 100.800 doza të vaksinës përmes programit COVAX, që ka për synim shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit. Kosova është e fundit në rajon, sa i përket nisjes së vaksinimit kundër sëmundjes, COVID-19, pasi fushata të tilla tashmë kanë nisur në Shqipëri, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se ka siguruar 535,000 doza të vaksinës së kompanisë amerikane, Pfizer, por nga kjo kompani, të fund të javës së kaluar, thanë për Radion Evropa e Lirë se ende janë në negociata me Prishtinën zyrtare, që kjo e fundit të ketë qasje në vaksinë./rel

SHKARKO APP