Avionët ushtarakë mbi jug të Serbisë

Nga Sevdail Hyseni/Forcat ajrore të Ushtrisë së Serbisë, si pjesë e trajnimit të rregullt, kanë fluturuar, për dy ditë rresht, mbi jug të Serbisë, duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës.

Nga baza ushtarake e Nishit, më 16 e 18 nëntor, janë ngritur avionët reaktivë “Orao”, “Galeb G4” dhe hilekopterët e tipit “Gazela” dhe “MI 8”, nga Brigada 98 e Aviacionit ushtarak, të cilët kanë fluturuar përgjatë territorit të jugut të Serbisë, deri te Zona e Sigurisë Tokësore, në kufi me Kosovën.

Një manovër e tillë ajrore ishte e planifikuar të mbahej në tetor, mirëpo për arsye të panjohura u shty për më vonë, për shkak organizimit të Forumit të biznesit Serbi –  Shqipëri, në Nish, ku morën pjesë dy qeveritë serbo shqiptare, në krye me kryeministrat: Vuçiq – Rama.

 “Këto janë fluturime si pjesë e trajnimit të rregullt, çka është plotësisht normale”, – u tha gazetarëve major Milivoje Tomasheviq.

Vlen të theksohet se ky trajnim është kryer ngjashëm edhe para dy javëve, ku nga manovrimet e tilla ushtarake, janë vënë nën panik një numër i madh i qytetarëve, sidomos të zonave kufitare, të cilëve edhe sot u ushëtijnë veshët nga zhurma e aeroplanëve gjatë kohës së luftës së Kosovës.

Gjithashtu, një trajnim i tillë ushtarak, vjen një javë pas aksidentit, në të cilin një automjet ushtarak u rrëzua në një mini-frigorifer në Vladiçin Han. Sipas medieve serbe, të plagosurit ishin anëtarë të Brigadës së 2-të Ushtrisë: 4 oficerë, 2 nënoficerë dhe një ushtar profesionistë, të cilët shkonin në një mbledhje të rregullt në Zonën Tokësore të Sigurisë.

Kjo zhurmëri ajrore, s’ka se si të mos lidhet edhe me konfiskimin e para dy – tre ditësh, të armatimit të “shekullit”, siç e quajnë mediet, nga depot ushtarake të Beogradit.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, ka konfirmuar se janë arrestuar me dhjetëra persona, tek të cilët është gjetur një sasi e madhe armatimi.

Pak para dy jave, 15 metra në afërsi të shtëpisë së babait të kryeministrit Vuçiq, janë gjetur armë të vendosura në arka, të cilat kanë sjellë shqetësimin e ministrit të policisë Nebojsha Stefanoviq, i cili u pat thënë medieve se “është i brengosur, pasi këto armë përdoren për të sulmuar makina të blinduara dhe vendi ku janë zbuluar, kanë qenë për të kryer atentate”.

Pavarësisht nga shqetësimet e lart-theksuara, më 17 e 18 nëntor, në Luginë të Preshevës: Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, po qëndron shefi i Trupit Koordinues, për jug të Serbisë, Zoran Stankoviq, i cili ka ardhur për ndarjen e  ndarjen e artikujve shkollor nxënësve të klasave të para dhe dorëzimin e kontratave për sipërmarrësit, të cilëve iu janë miratuar mjetet për subvencionim në konkursin e këtij institucioni të lartë shtetëror.

SHKARKO APP