Arrestohet Jakup Krasniqi, pritet të transferohet sot në Hagë
Forcat e shumta policore nga njësia EULEX-it kanë kontrolluar mëngjesin e së mërkurës banesën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Avokati mbrojtës tha se Krasniqi do të transferohet në Dhomat e Specializuara të Hagës, siç raportohet, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte gjatë konfliktit Kosovë-Serbi. Politikani 69-vjeçar është një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjatë luftës ka mbajtur edhe postin e zëdhënësit të këtij formacioni.
Familjarët e Krasniqit ndanë bindjen në pastërtinë e figurës së tij.
“Është ditë që njerëzit që kanë qenë pjesë e UÇK-së do të ballafaqohen me këto gjëra. Unë jam i bindur në atë se ky nuk mund të përfaqësoj pjesën kriminale, nuk ka të bëjë me atë far pune.”
Ndërsa ish-kryeministri, luftëtari dhe kreu i partisë AAK, Ramush Haradinaj, e cilësoi bastisjen e EULEX-it jo në përputhje me standardet e shteteve demokratike dhe dinjitetit njerëzor.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe besojmë në pafajësinë e z. Jakup Krasniqi,” reagoi Haradinaj në rrjetet sociale.
Jakup Krasniqi ka qenë Ministër i Shërbimeve Publike e më pas mori postin e të parit të Kuvendit të Kosovës.
Aktualisht ai shërben si kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, por në dhomat penale të Gjykatës Speciale në Kosovë ishte pyetur edhe korrikut e kaluar.
Në muajt e fundit një seri procedurash hetimore janë ndërmarrë edhe ndaj ish-funksionarëve të UÇK-së, me në krye presidentin Hashim Thaçi, që po ashtu pret t’i anulohet ose konfirmohet aktakuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në vitet 1998-1999.