Basha me Osmanin: Kuvendi i ri do të miratojë rezolutë për gjenocidin serb, do heqim traun te Rruga e Kombit

Ndryshe nga kryeministri Edi Rama që nuk bëri asnjë koment për vizitën e Presidentes në Detyrë të Kosovës Vjosa Osmani dhe bojkotoi fjalimin e saj në Kuvend, kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka pritur kryetaren e shtetit të Kosovës me ceremonial zyrtar në selinë blu.

Pas takimit me delegacionin e Kosovës, Basha ka zhvilluar dhe një konferencë për mediat me Vjosa Osmanin, ku ka premtuar se me ardhjen e PD në pushtet shumë çështje që lidhen me Kosovën do të ndryshojnë.

Basha tha se kur PD të vijë në pushtet, do të miratojë një rezolutë në Kuvend, kundër gjenocidit serb. Në konferencën e përbashkët që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Basha tha se Shqipëria nuk mund të lejojë që historia të shkruhet nga agresorët.

“Zotohem se Kuvendi i ri i Shqipërisë do të miratojë jo thjesht e vetëm, me vonesë madje, rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, por edhe një kuadër të veçantë që të obligojë të gjitha institucionet e Republikës ë Shqipërisë të jenë edhe njëherë në mbështetje të Kosovës siç ka qenë rasti deri para pak vitesh me sukses dhe prova suksesi të demonstruar. Ne nuk mund të lejojmë që historia të shkruhet nga agresorët nuk mund të lejojmë që bijat e Kosovës të nëpërkëmben nga ata që vijojnë të përkrahin agresorin që shkaktoi kaq shumë gjak dhe humbje jetësh në luftën me Jugosllavinë dhe sidomos në gjenocidin 97 dhe 98. Padyshim ne do të jemi përkrahës të dialogut Kosovë Serbi për të hapur aspiratat për integrimin në BE”, ka thënë kreu i PD-së.

Po ashtu, Basha deklaroi se kur të vijë në qeveri do të heqë traun me Kosovën tek Rruga e Kombit, kërkesë kjo që u artikulua edhe dje nga vetë Vjosa Osmani në Kuvend, dhe do të heqë tarifën në autostradën Ibrahim Rugova.

Basha u shpreh se Osmani përfaqëson një brez të ri dhe lidership të ri në politikën e Kosovës. Ai premtoi se mes dy vendeve, pas 25 prillit do të ketë marrëveshje reale dhe jo takime fasadë.

“Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha potencialet e lidershipit politik të profesionalizmit për të udhëhequr në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për mesazhet e qarta dhe të paekuivoke të kryetares së Kuvendit dhe të ushtrueses së detyrës të presidentit të Kosovës të shprehura dhe gjatë fjalës së djeshme dhe gjatë takimit me presidentin Meta dhe ta siguroj atë dhe përmes saj institucionet dhe popullin e Kosovës se si kryetar i PD dhe opozitës sot dhe nesër me përgjegjësitë që do më ngarkojnë qytetarët shqiptarë, por pa diskutim dhe si nip i juaji do të bëj gjithçka që të rikthej bashkëpunimin në nivele më të larta. Shumë shpejt do keni fuqinë e plotë të mendjes, të zemrës dhe të energjive të Shqipërisë në krahun e Kosovës dhe çdo qytetari të saj”,- tha kreu i PD, Basha.

SHKARKO APP