Basha shpallet qytetar nderi i Mitrovicës: Përgjegjësi për çfarë do të bëj në të ardhmen
Këshilli komunal i Mitrovicës shpalli Qytetar Nder kreun e PD-së, njëherësh kryebashkiak të Tiranës Lulzim Basha.
Titulli motivohet me kontributin e Bashës për shpalljen e Pavarësisë, ndërtimin e rrugës së Kombit e deri tek ndihma financiare që ai i dha Mitrovicës për riparimin e shtëpive të dëmtuara nga lufta dhe rikthimin e të shpërngulurve.
Titulli i qytetarit të nderit iu dorëzua në një ceremoni solemne nga kryetari i Bashkisë së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Kryebashkiaku Basha e konsideroi këtë titull nder e vlerësim për të, duke theksuar se e sheh njëherësh si përgjegjësi për çfarë do të bëj në të ardhmen.
“Ka qenë dhe është detyra ime, është privilegji, të cilin vazhdoj ta kem edhe sot për të ndihmuar sa të kem mundësi për Kosovën. Ndihem fatlum për këtë respekt të rrallë, në këtë ditë të bekuar dhe të shumëpritur nga të gjithë ju qytetarë të Mitrovicës, të Kosovës e mbarë shqiptarët, rikthimin për tu prehur në gjirin e tokës që e lindi kreshnikun e kombit, Isa Boletinin”, tha Basha.
Ai vuri në dukje se dy ditët e ardhshme janë ditët të bekuara, Lidhja e Prizrenit, 137 vjetori i festës së madhe, vjen nesër bashkë me heroin e kombit Isa Boletinit.
“11 dhe 12 qershori janë ditët e bekuara dhe të shumëpritura të çlirimit të Kosovës. Dua me këtë rast të përulem me nderim dhe respekt të thellë para atyre paraardhësve tanë, para Syl Vokshit e bashkëluftëtarëve të tij, para Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij, para arkitektit të pavarësisë së Kosovës Ibrahim Rugova, para komandantit legjendar Adem Jashari, para heroit, luftëtarëve, komandantëve të tyre dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Basha.
Shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Basha e konsideroi si një nga momentet më të lumtura të jetës së tij, ndërsa theksoi se ndihej me fat që Zoti i dha mundësi të kontribuonte për të bërë detyrën e tij në këtë proces dhe me pas në lidhjen e shqiptarëve mes tyre, përmes rrugës së Kombit.
“Koha e kombit tonë për tu ulur institucionalisht në tryezën e Europës si vende anëtare po afrohet me shpejtësi dhe për këtë ne të gjithë duhet të punojmë sa më shumë së bashku”, tha Basha.